8
Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se ideja e kryeministrit shqiptar Edi Rama për krijimi e një shteti Bektashi brenda Shqipërisë i jep mundësi presidentit serb Aleksandar Vuçiq të bëjë të njëjtën gjë duke futur Kishën Serbe si shtet brenda Kosovës.
Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se ky është një plan nga Vuçiq, duke shtuar se Mitrovica dhe Veriu i Kosovës nuk janë pazar politik as për Ramën, as për Vuçiqin.
“Ky plan, i përgatitur nga Vuçiq, kërkon të përdorë Ramën për të legjitimuar ndarjen e Veriut të Kosovës, ku Kisha Serbe do të luajë një rol të rëndësishëm në përhapjen e nacionalizmit serb. Veprimet e Ramës rrezikojnë jo vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë, dhe çdo përpjekje për të fragmentuar territoret tona do të përballet me rezistencë të fortë”.
“Mitrovica dhe Veriu i Kosovës nuk janë pazar politik as për Ramën, as për Vuçiqin. Të përpiqesh të luash me të ardhmen e Kosovës për të kënaqur ambiciet personale apo për të ruajtur “miqësi” të dyshimta, është një tradhti ndaj gjakut të dëshmorëve dhe dinjitetit të kombit tonë. Edi Rama duhet ta dijë se nuk ka as mandatin dhe as të drejtën të bëjë pazar me Kosovën dhe me të ardhmen tonë! Ky plan do të mbetet një ëndërr e parealizuar e Vuçiqit”, ka thënë Bahtiri. /Klankosova.tv