Lajme

Krasniqi: Me Danimarkën nevojitet bashkëpunim në ekonomi, arsim e shëndetësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim në selinë e PDK-së Ministrin e Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard. Ai tha se Kosova dhe Danimarka kanë një histori tejet të mirë të partneritetit të ndërsjellë.

Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi tha se krahas fushës së dretësisë, të dy vendet tona duhet të thellojnë bashkëpunimin edhe në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.

“Përveç bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, përmes Traktatit Kosovë- Danimarkë, i cili parasheh shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, të dy vendet tona duhet të thellojnë bashkëpunimin përmes marrëveshjeve bilaterale edhe në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje ka theksuar se Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse Danimarkës për kontributin domethënës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

“Ministrin Hummelgaard e falënderova për vizitën dhe mbështetjen e tij e të Danimarkës për vendin tonë!”, ka përfunduar kreu i PDK-së.