Lajme

Haliti: Perëndimi na dërgon fatura, por ne s’mund t’i dërgojmë atyre

Deputeti Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke e cilësuar atë si një mesazh të mirëpritur, por problematik. Haliti theksoi se kjo deklaratë erdhi pas reflektimeve të kryeministrit Kurti në Bruksel dhe përbën një sinjal për qeverinë e Kosovës.

“Deklaratë e mirëpritur nga miqtë e Kosovës, e bërë një ditë pasi që Kurti bëri një deklaratë reflektuese lidhur me qëndrimet e deklaratat e veta publike të dhëna në Kryeqytetin e Evropës, Bruksel. Është deklarata e radhës dhe mesazhi i dhënë Kopshtit Politik të Qeverisë së Kosovës”, tha Haliti.

Haliti tha se është e papranueshme të bëhen deklarata si mysafir në shtëpinë e atij që ka ofruar ndihmë në momentet më të vështira. Ai e quajti këtë një veprim politikisht të gabuar që ka pasoja për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, Kosova nuk duhet të dërgojë fatura për Perëndimin, ndërsa ata vazhdojnë të perceptojnë situatën e brendshme.

“Të bësh deklarata si mysafir në shtëpinë e të zotit të shtëpisë, i cili ta ka dhënë dorën kur  s’ke pas fuqi të ecësh, të ka mbajtur “caca” e të ka shëruar plagët e luftës, i cili po të trajton si mik, është padituri dhe politikisht gabim që ka kostot e  veta të cilat i kushtojnë e po i kushtojnë qytetareve të Kosovës. Ne  s’mund ti dërgojmë ndonjë faturë Perëndimit, por ata neve po”, tha Haliti.