Ambasadori i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari ka vizituar komunën e Preshevës, ku është pritur nga kryetarja e kësaj komune Ardita Sinani.
Ajo duke falënderuar Jasharin për vizitën ka thënë se ato që vijnë nga Kosova për banorët e Preshevës janë të një rëndësie të veçantë.
“Çdo vizitë nga Kosova mbart një rëndësi të veçantë për banorët e Preshevës, sepse përfaqëson jo vetëm lidhjen tonë të pashkëputshme, por edhe shton forcën dhe motivimin e popullit tonë për të vazhduar të jetojë e punojë në këtë vend, duke ruajtur rrënjët dhe trashëgiminë tonë të përbashkët”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Ajo ka thënë në takim kanë diskutuar për sfidat që prekin qytetarët tanë dhe për disa projekte zhvillimore
“Pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Kosova, dhe tani sfida e re me shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ushtrinë e Serbisë, janë faktorë që po i shtyjnë të rinjtë tanë drejt emigrimit. Këto probleme janë barrë e madhe për familjet tona dhe për të ardhmen e Luginës. Me Ambasadorin diskutuam edhe për projektet zhvillimore si Zonën Industriale, që do të sjellë vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik për rajonin tonë. Një falënderim i veçantë shkon për mbështetjen në subvencionet për bujqësinë dhe përpjekjet që bëhen për Këshillin Kombëtar Shqiptar, i cili vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit tonë”, ka thënë ai.