33
Eliza Dushku, aktorja shqiptare me famë botërore, ndau në intervistën e fundit me revistën Boston përvojat dhe ndryshimet që kanë formësuar jetën e saj pas rikthimit në Boston.
E njohur për rolin e saj në serialet “Buffy the Vampire Slayer” dhe “Angel”, Eliza ka zgjedhur të kthehet në qytetin e saj të lindjes për të ndjekur një rrugë të re në ndihmën dhe shërimin e të tjerëve. Eliza tregon se si jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht që nga kthimi në Boston në vitin 2014, ku fillimisht nisi studimet në psikologji holistike në Universitetin Suffolk dhe më vonë vazhdoi në Universitetin Lesley.
Ky kthim në Boston u bë një pikënisje për një kapitull të ri në jetën e saj, pasi ajo nisi të fokusohej në trajtimin e shëndetit mendor dhe shërimin nga traumat e kaluara. Eliza foli për ndikimin e fuqishëm të terapisë së asistuar me substanca psikodelike në jetën e saj. Ajo theksoi rëndësinë e këtij trajtimi për të shëruar trauma emocionale dhe për të gjetur paqe të brendshme.
Ishte si të zhytesha në shpirtin tim dhe të riktheja pjesë të humbura të vetes.
Aktorja gjithashtu shprehu bindjen se ky lloj trajtimi mund të transformojë jetën e njerëzve që kërkojnë zgjidhje për sfidat emocionale me të cilat përballen.
Eliza tani është thellësisht e përkushtuar ndaj ndihmës terapeutike. Ajo ka marrë certifikim në terapinë e asistuar me substanca psikedelike dhe është në përfundim të një masteri në këshillim dhe shëndet mendor klinik. Përmes kësaj fushe të re, Eliza synon të ndihmojë njerëzit që të përballen me traumat e tyre dhe të shërohen, ashtu siç ndodhi dhe me të vetë gjatë përvojave të saj personale.
Në bashkëpunim me bashkëshortin e saj, Peter Palandjian, Eliza ka financuar kërkime dhe prova klinike për përdorimin e substancave psikedelike në trajtimin e shëndetit mendor. Çifti gjithashtu ka kontribuar në përpjekjet për të vendosur në votim legalizimin e përdorimit terapeutik të këtyre substancave. Eliza, e cila tani është nënë e dy fëmijëve dhe banon në Cambridge, ndjen se kthimi i saj në Boston ishte një hap i natyrshëm drejt një jete më autentike dhe të përmbushur.
ks