Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, Visar Rrecaj vlerëson se përqendrimi i Policisë dhe shtetit vetëm në pjesën veriore të Kosovës ka ndikuar në lulëzimin e krimit në pjesët e tjera të vendit.
Rrecaj, ka thënë se ky përqendrim policor vetëm në një pikë apo rajon u ka dhënë komoditet të gjithë kriminelëve.
“Kryesisht përqendrimi në pjesën veriore të Kosovës ka bërë që të lulëzojë krimi në pjesë tjera të Kosovës. Ne jemi dëshmitarë të shumë rasteve dhe mediat çdo ditë raportojnë për raste të ndryshme prej trafikim me emigrant, narkotikë, laboratorë narkotikësh dhe shumë raste tjera që tregon se përqendrimi i Policisë së Kosovës vetëm në një pikë, në një rajon, i ka dhënë komoditet të gjithë personave që kanë prirje për tu marrë me aktivitete kriminale”, ka thënë Rrecaj në emisionin “Ditari” në tëvë1.
Sipas tij, shteti duhet të ketë një përqendrim gjithpërfshirës sepse për mendimin e tij vetëm strategjitë e hartuara në letër nuk e zgjidhin problemin me narkotikë.
“Shteti duhet një përqendrim gjithpërfshirës, nuk mjafton vetëm strategjia që e ka hartuar qeveria për luftimin e narkotikëve, sepse strategjia dhe përpilimi i saj në letër dhe vendosja e saj në faqen zyrtare, nuk e zgjedh problemin me narkotikë e as luftën kundër kësaj dukurie, por konsideroj se duhet të rriten kapacitetet humane në kuadër të Drejtorisë dhe Njësisë Antidrogë”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, mëngjesin e së premtes, ka sekuestruar më shumë se një ton drogë në një aksion.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi ka thënë se në këtë aksion i cili është nga më të mëdhatë pas luftës, vlera e drogës së sekuestruar është afër 5 milionë euro./teve1.info/