Gjatë ditës së djeshme vëmendjen e mediave mori deklarata e të dërguarit amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
Grenell u shpreh se ka thënë se e ardhmja e Serbisë është pranë Shteteve të Bashkuara, dhe jo pranë Kinës dhe Rusisë.
Ai beson se mes SHBA-së dhe Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet.
“Unë flas rregullisht me presidentin e [Serbisë, Aleksandar) Vuçiq dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-në. Si një amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk hezitoj të promovoj vlerat e Perëndimit”, tha Grenell.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.
Amir Shabani
Ai thotë se kjo deklaratë e Grenell mund të përgatitje terreni që Trump mund të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas tij, është dyshuese pasi Grenell edhe pse pas largimit nga detyra e tij zyrtare mbanë kontakte direkte me krerët e qeverisë serbe.
“Sa i përket deklaratave të tilla nga ish-diplomati amerikan Richard Grenell i cili ishte i dërguari special i Donal Trump për dialogun Kosovë-Serbi, se Serbja duhet qenë mike e SHBA-së dhe jo e Rusisë dhe Kinës, mendoj se ngritin nivelin e dyshimit dhe paralajmërimin se po përgatitet tereni për Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Ajo që ngjall dyshimin është se Grenelli edhe pas largimit nga detyra e tij zyrtare, ai sërish vazhdon të ketë kontakte direkte me krerët e qeverisë dhe presidencës serbe. Së fundmi, Serbia ka nënshkruar kontratë me firmën e dhëndrit të Donald Trump, Kushner, për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999”, u shpreh ai.
Më tej, Shabani shprehet skeptik që Serbia mund të drejtohet kah Perëndimi kur mbanë lidhje kaq të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
“Serbia e cila nuk i shkëput lidhjet me Rusinë dhe Kinën, dy aleatët më të fuqishëm të saj të cilat investojnë në infrastrukturë dhe intelegjencë, armë dhe shërbim informativ, është absurde të besohet se ajo do e drejtojë kahjen kah Perëndimi, kur tani në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork e dekoroi ambasadorin rus pasiqë nuk kishte votuar për gjenocidin e Srebrenicës.
Një shtet që ka shkaktuar vazhdimisht konflikte në rajon dhe tani me çdo kusht e nxit destabilizimin, nuk mund të thuhet qartë se anon kah Perëndimi, e nga ana tjetër të anashkalohet Kosova e cila është dëmtuar tejmase nga Serbia dhe duhet t’i paguhet dëmshpërblim”, përfundoi Shabani për “Bota sot”.