LifeStyle

Uji i rubinetit, më i sigurt se ai me shishe

Rreth 1 milion shishe të blera çdo minutë në mbarë botën.

Kjo shifër alarmante pritet të rritet, paralajmërojnë ekspertët e shëndetësisë në një analizë të botuar në BMJ Global Health.

Ndërsa rreth 2 miliardë njerëz në mbarë botën e blejnë ujin në shishe për shkak të aksesit të kufizuar në ujë të pijshëm të sigurt, për shumicën, përdorimi i tij është një çështje komoditeti, sipas studiuesve nga Weill Cornell Medicine në Katar.

Ky trend është nxitur nga fushatat e marketingut që promovojnë ujin në shishe si më të sigurt dhe më të shëndetshëm se uji i rubinetit – pretendime që studiuesit thonë se janë mashtrim.

Në të vërtetë, deri në dy të tretat e ujit në shishe në SHBA është thjesht ujë rubineti i ripaketuar, vunë në dukje autorët, dhe studimet e fundit kanë gjetur kimikate që shkaktojnë kancer në ujin e ambalazhuar në zonën e Gjirit të San Franciskos.

“Përdorimi i gjerë i ujit në shishe kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në ndotjen; ai i ekspozon njerëzit ndaj ndotësve potencialisht të dëmshëm dhe gjithashtu kontribuon në emetimet e gazeve serrë,” tha autori kryesor Amit Abraham për Newsweek.

Kimikatet e dëmshme nga shishet plastike, si bisfenoli A (BPA) dhe ftalatet, mund t’i bashkohen ujit, thonë studiuesit, veçanërisht kur shishet ekspozohen ndaj rrezeve të diellit ose temperaturave të larta për periudha të gjata. Studimet kanë gjetur ndotës, duke përfshirë mikroplastikën, në deri në 78 përqind të mostrave të ujit në shishe.

Kontaminimi mikroplastik është shoqëruar me një sërë problemesh shëndetësore, si stresi oksidativ, dobësimi i sistemit imunitar dhe ndryshimet në nivelet e yndyrës në gjak. Ekspozimi ndaj BPA, një kimikat që gjendet zakonisht në plastikë lidhet me rreziqe afatgjata shëndetësore si presioni i lartë i gjakut, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe obeziteti.

“Ndërsa ekzistojnë pragje sigurie afatshkurtra, efektet afatgjata të këtyre ndotësve mbeten kryesisht të panjohura”, shkruajnë autorët, duke shtuar se mikroplastika mund të hyjë në zinxhirin ushqimor edhe përmes konsumit të ujit në shishe.

Përveç rreziqeve për shëndetin, shkalla mjedisore e ujit të ambalazhuar është e madhe. Shishet plastike përbëjnë 12 për qind të ndotjes plastike të oqeanit, çka i bën ato mbetjet plastike më të zakonshme të gjetura në det.

Vetëm 9 përqind e këtyre shisheve riciklohen, pasi shumica përfundojnë në landfille, inceneratorë ose dërgohen në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke ngritur shqetësime etike për menaxhimin global të mbetjeve dhe drejtësinë sociale.

“Komunitetet me të ardhura më të ulëtaaknë prirjen të bëhen ato që mbajnë peshën kryesore të mbetjeve plastike dhe ndotjes, dhe në përgjithësi, konsumi i këtyre shisheve plastike të ujit vjen nga shtresa më të pasura të shoqërisë,” tha Abraham. “Kështu që shpesh njerëzit që po e shkaktojnë problemin nuk vuajnë domosdoshmërisht më shumë nga ndikimet e atij problemi.”

Edhe procesi i prodhimit të shisheve është i dëmshëm, pasi nxjerrja dhe prodhimi dhe lëndëve të para kontribuojnë ndjeshëm në emetimet e gazeve serrë.

Përpjekje për të reduktuar përdorimin e ujit në shishe janë zbatuar në disa zona, duke përfshirë iniciativat për të rritur aksesin në ujin e pijshëm në hapësirat publike dhe për të kufizuar përdorimin e plastikës njëpërdorimshe. Megjithatë, studiuesit argumentojnë se duhet bërë shumë më tepër për të frenuar varësinë nga uji në shishe.

Ata bëjnë thirrje për ndërhyrje të fuqishme të qeverive dhe fushata edukative për të ndryshuar perceptimin publik.

“Përgjegjësia është mbi qeveritë dhe organet rregullatore për të rimenduar politikat e tyre.”

Autorët u bëjnë thirrje qeverive, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të investojnë në infrastrukturën e sigurt dhe të besueshme të ujit të rubinetit për të trajtuar shkakun rrënjësor të varësisë nga uji në shishe



ks