Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja për tregti të lirë me vendet anëtare të EFTA-së e nënshkruar javë e kaluar do krijojë mundësi për prodhuesit dhe kompanitë kosovare.
Kurti ka thënë se Kosova gëzon trajtim të barabartë në këtë marrëveshje ku bëjnë pjesë Norvegjia, së bashku me Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Islandën
Në mars të vitit 2022, gjatë vizitës në Norvegji dhe takimit me ministrin norvegjez të Tregtisë dhe Industrisë, Jan Christian Vestre, patëm paraqitur kërkesën tonë për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me vendet anëtare të EFTA-s, nga Deklarata e Përbashkët në Marrëveshje Tregtare.
“Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-së, gëzon trajtim të barabartë. Jemi i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n. Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona vendore dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet Republikës sonë dhe shteteve anëtare të EFTA-s”, ka shkruar Kurti.