1
Qeveria e Kosovës thotë se po i bëhet padrejtësi vendit me zvarritjen e shqyrtimit të aplikimit për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas ekzekutivit kosovar opinioni i BE-së ndaj këtij aplikimi dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm që duhet të merren nga unioni evropian.
Në qeveri shpresojnë që presidenca hungareze e Këshillit të BE-së të trajtojë me seriozitet të merituar kërkesën e Kosovës.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale.
“Ne mendojmë se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale. Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm të cilat duhet të ndërmerren”.
“Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe, dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”.
Ai shton se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit-vend kandidat për anëtarësim në BE ishte si rezultat siç thotë ai i progresit të gjithmbarshëm dhe sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së.
Kosova ka aplikuar për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022.
Aplikimi deri tani nuk është shqyrtuar nga asnjë vend që ka pasur presidencën e Këshillit Evropian, ndërkaq deri më 31 dhjetor 2024, presidencën e Këshillit e ka Hungaria.
Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më shumë përparim në negociatat e anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur sivjet këto negociata, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.