Lajme

Tahiri: Çfarë qeverie është ajo që guxon të dështojë në ekzekutimin e pagave, mos luani me njerëz

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri ka reaguar pasi punëtorëve të sektorit publik nuk i janë ekzekutuar pagat.

Tahiri ka pyetur se çfarë qeverie duhet të jetë ajo e cila guxon të dështojë në ekzekutimin e pagave.

“Çfarë qeverie duhet të jetë ajo e cila guxon të dështoj në ekzekutimin e pagave, duke shkelur dinjitetin e shumë familjeve që mezi arrijnë t’ia dalin nga muaji në muaj? E kisha paralajmëruar këtë skandal. O djem, mos luani me njerëzit, mos luani me shtet! Nesër është i pari”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Zyra për media e Ministrisë së Financave ka konfirmuar për Insajderin se pagat ende nuk janë ekzekutuar por nuk ka dhënë detaje se pse ka ndodhur ky bllokim brenda administratës shtetërore.

Kujtojmë se pagat nuk janë ekzekutuar as për familjet me skema sociale për këtë muaj.