Epilepsia është sëmundje në të cilën ka një çrregullim të funksionit të sistemit nervor qendror, i karakterizuar nga përsëritja e krizave epileptike të paprovokuara
Nga Prof.Asoc.Dr. Rushit Jashari, Neurolog.
Epilepsia në fakt nuk është një sëmundje e vetme, por përfshin një spektër të gjerë simptomash që lindin për shkak të aktivitetit jonormal në tru.
Një atak epileptik mund të ndodhë te kushdo, por kjo nuk do të thotë që të gjithë kanë epilepsi.
Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis një krize epileptike dhe epilepsisë, sepse shfaqja e një krize epileptike nuk do të thotë domosdo se një person është i sëmurë nga epilepsia.
Nëse krizat shkaktohen nga ndonjë çrregullim tjetër, i quajmë kriza epileptike të provokuara dhe nuk trajtohen me ilaçe antiepileptike, por trajtohet gjendja që i ka shkaktuar (p.sh. infeksion, goditje në tru…).
Fjala epilepsi vjen nga fjala e vjetër greke që dmth. sulm. Ne e quajmë sëmundje e tokës ose e ligë.
Çka është epilepsia?
Epilepsia është çrregullim paroksistik (i përnjëhershëm)i funksionit të trurit, i karakterizuar me sulme të papritura e të shkurta të humbjes së vetëdijes, të përcjellura me humbje të aktivitetit motorik, shfaqjes së fenomeneve senzitive ose sjelljes joadekuate.
Pse shfaqet epilepsia?
Faktorët që ndikojnë në epilepsi janë të shumtë:
▪ Te fëmijët e porsalindur mund të jetë si pasojë e lindjeve natyrale dhe shkaktohet trauma e trurit.
▪ Temperatura te fëmijët mund të shkaktojë epilepsi.
▪ Lëndimet e kokës në çfarëdo moshe.
▪ Ndryshimet patologjike (jo normale) të enëve të gjakut.
▪ Sëmundjet inflamatore të trurit dhe pasojat nga këto (meningjitet, parazitozat).
▪ Tumoret në tru, si ata primar poashtu edhe ata sekondar.
▪ Sulmet epileptike mund të shfaqen edhe tek aksidentet vaskulare, cerebrale (infarktet dhe gjakderdhjet në tru).
▪Helmimet e brendshme dhe t jashtme të organizmit.
▪ Ndryshimet endokrine.
▪ Forma senile (mosha e pleqërisë).
Si të reagoni nëse dikush ka një atak epileptik?
Në momentin që dikush humbë vetëdijen duhet që ta mbrojmë mos të lëndohet nga gjësendet që e rrethojnë, duhet shtrirë në tokë në pozitë në krahë (sepse gjatë sulmit mund të kthejë ushqimin nga lukthi dhe të asfiksohet), të lirohet nga veshjet e ngushta në fyt, psh. kollaren duhet hekur.
Nuk duhet të futen gjësende të forta si luga apo shpatulla e drurit sepse mund t’i thyhen dhëmbët në fazën tonike të sulmit.
Mund t’i bëhen masazhe ku disa sulme fokale (lokale) ndërpriten.
Dhe, pritet që sulmi të kalojë. Personi duhet të dërgohet në qendrën më të afërt mjekësore për trajtim të mëtejmë.
Cilat janë shkaqet që provokojnë një sulm epileptik?
▪ Marrja e terapisë anti-epileptike jo e rregullt ose ndërprerja e saj pa konsultë të mjekut (zakonisht ndodhë te gratë që vendosin për shtatzëni).
▪ Ushqimi jo i rregullt.
▪ Gjumi jo i rregullt.
▪ Ftohjet e ndryshme si gripi, infeksionet tjera.
▪ Rënia e imunitetit.
Llojet e epilepsive
Epilepsia mund të paraqitet në shumë forma.
Epilepsia e gjeneralizuar
Epilepsia e gjeneralizuar apo sulmi i madh që i paraprin Aura apo pa aura, është një ndjenjë e posaçme që manifestohet para sulmit epileptik. I sëmuri e parasheh se po i afrohet sulmi epileptik i manifestuar si ndjenjë e rënduar të kokës, me marramendje; ndjenjë të senzacioneve në bark që shkojnë kah fyti; parafytyrime të llojllojshme varësisht nga lokalizimi në koren e trurit).
Manifestohet me humbje të plotë të vetëdijes, me kontraksione tonike të muskujve të gjithë trupit, duke filluar edhe në telat e zërit që si rezultat i kësaj, në fillim të sulmit, i sëmuri lëshon një britmë. Kjo fazë e sulmit quhet faza e ngërçeve tonike dhe zgjatë prej disa sekondave deri në një minutë.
Gjatë kësaj faze i sëmuri nuk merr frymë, fytyra i mavijoset (bëhet cianotike).
Faza e dytë është fazë e ngërçeve klonike, të cilat e kaplojnë tërë trupin, ndërsa ne i shohim si kontraksione simetrike të duarve dhe të këmbëve. Në këtë fazë i sëmuri qet shkumë nga goja, nëse e ka kafshuar gjuhën- edhe gjak.
Në këtë fazë mund të shfaqet edhe inkontinenca e urinës (derdhje uji), zgjat rreth dy minuta.
Pasi të ndërpriten konvulsionet, i sëmuri një kohë të gjatë mbetet i pavetëdijshëm, pa reflekse që tregojnë për rraskapitje të sistemit nervor.
Sulmi i vogël apo Petit mal
Haset tek fëmijët, më rrallë në pubertet.
Sulmi zgjat shkurt me ndërprerje të shkurta me kontinuitet të vetëdijes që manifestohet me shikim të humbur, humbje e kontaktin me rrethin.
Gjatë sulmit vërehen lëvizje të qepallave të syve, ndonjëherë lëvizje diskrete të buzëve dhe duarve.
Sulmet përsëriten shpesh deri në dhjetëra herë brenda ditës.
Sulmet parciale
Këtu hyjnë forma të caktuara të epilepsive që formohen për shkak të ndonjë lezioni (ndryshimi) në ndonjë pjesë të cipës së trurit.
Sulmet paraqiten në formë motorike, sensitive, autonome ose psikike:
– Forma motorike manifestohet me ngërçe të gishtave të dorës apo këmbës duke u përhapur në tërë ekstremitetet, në fytyrë që pastaj përhapet në forme të valëve në pjesët tjera të trupit.
– Sulmet fokale sensitive manifestohen me ndjenjën, psh. mpirje e gishtave të dorës apo këmbës që shpërndahet nëpër krejt dorën ose këmbën, ose sensacioni mund të jetë si ecja e buburrecit nëpër dorë.
Nëse vatra është në pjesë tjera të trurit, do të përjetojmë senzacione në formë të parafytyrimeve të llojllojshme në shikim, nuhatje, dëgjim, shije, drejtpeshim, etj.
– Forma autonome (vegjetative, viscerake), përcillet me ataqe të rrahjeve të zemrës, mundim, vjellje, ndjenjë e çrregullimeve të sfinktereve, senzacione seksuale.
– Forma psikomotore shfaq dukuri si marramendje, parafytyrime, çrregullime të shijeve, objektet përreth përjetohen si shumë të vogla (mikroskopike) apo shumë të mëdha (makroskopike)
Statusi epileptik
Sulmet tek kjo gjendje vazhdojnë njëra pas tjetrës pa u lajmëruar periudha e vetëdijes. Shkaktohen spontanisht apo kur ndërpritet terapia antiepileptike, apo kalimi nga njëri antiepileptik në tjetrin antiepileptik.
Cili është ndryshimi midis një krize epileptike dhe epilepsisë?
Një krizë epileptike është kur fiton veç një sulm epileptik. Dhe, nuk trajtohet me medikamente. Rreth 8% e popullatës botërore ka përjetuar një sulm epileptik. Ndërsa, epilepsia është kur pacienti diagnostikohet me epilepsi dhe trajtohet me antiepileptik.
Si diagnostikohet epilepsia?
Për vendosjen e diagnozës rëndësi kanë:
▪ Marrja e anamnezës.
▪ Bërja e analizave laboratorike.
▪ Ekzaminimi me neuroimazheri si bërja e elektroencefalografisë (EEG)
▪ Tomografia e kompjuterizuar (CT)
▪ Rezonanca magnetike (MRI)
Si trajtohet kjo sëmundje?
Që shërimi të jetë më i mirë duhet të dihet diagnoza adekuate e llojit të epilepsisë.
Duhen përdorur medikamentet adekuate.
Mjekimi është medikamentoz me barna ku kryesisht përdoret një bar monoterapik dhe suksesi është i mirë, por tek sulmet rezistente të epilepsisë (forma refraktare) përdoren dy apo më shumë epileptik.
Shërimi kirurgjik bëhet tek format e rënda kur shërimi me ilaçe është i pasuksesshëm.
A është epilepsia trashëguese?
Është trashëguese. Tendenca apo predispozita ndodh te 3-5% e kushërinjve të sëmurë me epilepsi. Ata kanë sulme epileptike që është 6-10 herë më shumë se në popullatën normale.
Çfarë kufizimesh imponon epilepsia në aktivitetin e përditshëm?
Numri i madh i njerëzve që vuajnë nga epilepsia në të gjitha vendet e botës, imponon nevojën që kjo sëmundje të studiohet edhe jashtë suazave të mjekësisë. Në shumë vende janë formuar shoqata për luftë kundër epilepsisë, ku tentohet që të përballen me vështirësitë e kësaj sëmundje në të gjitha aspektet e saj.
▪ I sëmuri me epilepsi duhet të risocializohet në shoqëri dhe familje ngase duhet ta dinë se çfarë sëmundje është epilepsia në mënyrë që t’i mundësohet jeta normale dhe pa komplekse.
▪ Në disa raste, për shkak të natyrës së punës dhe të sëmundjes, personat që kanë epilepsi duhet të rikualifikohen. Kësisoj, sigurohet vendi i tillë i punë ku nuk do të ketë rrezik për të sëmurin ose personat tjerë përreth nëse goditet nga sulmi epileptik.
Një numër i madh i personave të sëmurë do të kryejnë pa asnjë problem punën e tyre nëse trajtohen si duhet. Ata që lëndohen në punë gjatë sulmit epileptik, duhet të lirohen nga puna për disa ditë deri sa të rehabilitohen.
▪ Të sëmurët me sulme epileptike nuk guxojnë të mbajnë armë.
▪ Nuk duhet të bëjnë vozitje profesionale.
▪ Nuk kanë të drejtë të ngjiten si murator në lartësi të mëdha.
▪ Nuk kanë të drejtë në patentë shofer nëse nuk janë shëruar plotësisht dhe me kusht që të mos kenë pasur sulme epileptike në tri vitet e fundit dhe EEG të jetë normale.
▪ Shtatzënia lejohet në konsultë me neurologun tek gratë me epilepsi.
/Telegrafi/