Lajme

“Familja tradicionale” – Dy ish-deputetët e Vetëvendosjes bashkë me Pacollin e Aganin

 Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, për t’iu bashkuar koalicionit Lista për Familjen, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë. Rrahmani ka thënë të martën se është koha “për një angazhim politik më ndryshe”. Sipas Rrahmanit kjo nismë është edhe kundër një teme shumë të përfolur e cila ka krijuar edhe përçarje e dy deputetëve me partinë në pushtet, që ka të bëjë me votimin e Kodit Civil. Ndërsa Asdren Bytyqi anëtar i këtij koalicioni, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar politikë të duhur për të gjitha shtresat por vetëm për grupin LGBT. E shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica nuk e kanë njoftuar në kohë grupin parlamentar për largimin e tyre.

E zgjodhën oborrin e Kuvendit të Republikës.

Kështu dy deputetët më të zëshëm kundër disa projekt-ligjeve të qeverisë, përfshirë atë të Kodit Civil, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, e zgjodhën datën 1 tetor për t’i ndarë rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje.

Përveç kësaj, të martën deputeti Rrahmani shpalosi rrugëtimin e ri të tij e kolegut Korenica.

“Lista e Familjes” është familja e re politike e dy ish-deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Eman Rrahmani tha se punën si deputet do ta vazhdojnë normalisht.

“Kuaza për Familje është kauzë mbi partiake dhe do të jetë kauzë qytetare për qytetarët. Pjesë e këtij projekti do të jenë edhe personalitete publike, profesionale e shkencore …. Vazhdimi ynë si deputet do të jetë ashtu siç ka qenë do të mbështesim secilën iniciativë ligjore e cila vije në kuvend edhe që është e dobishme për vendin dhe secilën iniciativë që është në dëm dhe kundër interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Rrahmani.

Anëtari i këtij koalicioni i cili është edhe avokat, Asdren Bytyqi tha për televizionin se do të punojnë në avokimin e të drejtave të njeriut që askush të mos diskriminohet dhe jo sipas tij, sikur partia në pushtet e cila punoi vetëm për një kategori.

“Mendoj se Lëvizja Vetëvendosje nga fillimi ka treguar se ka një politikë segmentare pra vetëm ndaj një grupi të caktuar i ka avancuar interesat e tyre, përkatësisht grupit LGBT pra e ka avancuar agjendën LGBT në të gjitha format e saj, duke tentuar që ta degradoi shoqërinë tonë kurse nuk ka pas një politikë të drejtë për shtresat e tjera”, tha Bytyqi.

Në anën tjetër shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoz Kusari Lila, i tha televizionit se dy tashmë ish kolegët e saj nga grupi parlamentar nuk kanë lajmëruar me kohë për largimin e tyre.

“Për keqardhje është që nuk kanë bërë njoftim paraprak. Do të ishte kurtuazi minimale gjatë gjithë kësaj kohe të qëndruarit bashkë dhe natyrisht shërbimit në të njëjtin grup parlamentar, të paktën të kishin deklaruar ose komunikuar grupit. Nuk ka pasur një deklarim të tillë. Sido qoftë është zgjedhje e tyre. Unë ju uroj sukses kudo që janë. Natyrisht që janë mos pajtime parimore që kanë të bëjnë në raport se si organizohet puna dhe shteti, dhe cilat janë vendimet që i merr Kuvendi përfshirë këtu edhe miratimin e ligjeve dhe miratimin e Kodit Civil”, tha Kusari-Lila.