Në një deklaratë për media, anëtari i Kryesisë së PD-së Grigels Muçollari ka ngritur shqetësime lidhur me mbetjet toksike, duke thënë se anijet e ngarkuara në Durrës më 4 korrik janë në rrugën e kthimit në Shqipëri, teksa shton se rreziku tashmë është pranë portave të vendit tonë.
Ai thotë se ‘qeveria është përgjegjëse për këtë skandal’, ndërsa kërkon hetim ndërkombëtar pasi po shpërfillen shqetësimet e qytetarëve vendas për mjedisin e shëndetin.
Muçollari bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare të opozitës, duke u shprehur “7 tetori është rasti që të ngremë zërin, të bashkohemi në shesh kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit, kundër trafikut të mbetjeve të rrezikshme”.
Deklarata e plotë:
Sipas informacioneve të besueshme, të dyja anijet e mbetjeve të dyshimta, që u ngarkuan në Durrës me 4 korrik të këtij viti, për të cilat ngriti alarmin Rrjeti i Bazelit, janë në rrugën e kthimit dhe kanë mbërritur në Itali.
Pra rreziku është edhe njëherë para portave të Shqipërisë, më pak se 100 kilometra detare nga Durrësi.
Qeveria, që është përgjegjëse për këtë skandal të trafikut ilegal që mori përmasa ndërkombëtare, hesht, fshihet, dhe nuk bën publike asnjë plan apo masë që ka ndërmarrë, për të trajtuar këtë rast.
Çfarë do të bëjë kur 102 kontejnerët të jenë sërish në Durrës?
Cili është plani për të garantuar testim të rregullt dhe transparent?
Rrjeti i Bazelit, i ka shprehur dyshimet me anë të një letre zyrtare, se e vërteta e këtyre mbetjeve mund të kompromentohet. Ndaj, ky organizëm ka kërkuar praninë e ekspertëve ndërkombëtarë dhe testimin e 3 mostrave në 3 laboratorë të ndryshëm, në mënyrë të pavarur.
Këto janë detyra dhe përgjegjësi të qeverisë.
Cilat janë veprimet e ndërmarra deri tani nga autoritetet për ta mundësuar këtë testim sipas standardeve ndërkombëtare, transparent e të besueshëm?
Që prej ditës së parë, kur shpërtheu skandali, qeveria, Kryeministri kanë refuzuar të mbajnë përgjegjësi dhe kanë fajësuar operatorët privatë.
Edi Rama dhe të tijtë janë mësuar të fshihen, e t’u shpëtojnë aferave e abuzimeve të tyre, për shkak të kontrollit që kanë mbi drejtësinë, mediat dhe institucionet.
Por kësaj radhe ndryshon puna. Ata nuk mund t’u imponohen e nuk mund t’i blejnë dot organizata si Rrjeti i Bazelit, dhe nuk mund t’i trajtojnë detyrimet e konventave ndërkombëtare, siç bëjnë me normat e ligjet këtu.
Nëse nuk kanë ndjeshmëri dhe shpërfillin shqetësimet e qytetarëve vendas për mjedisin e shëndetin, do të jenë të detyruar të japin llogari për këtë trafik para autoriteteve ndërkombëtare.
Ndërkohë që ne, shqiptarët, e kemi në dorë dhe duhet të kërkojmë shpjegime për këtë aferë të rrezikshme.
7 tetori është rasti që të ngremë zërin, të bashkohemi në shesh kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit, kundër trafikut të mbetjeve të rrezikshme.