Lajme

Qeveria thotë se po punojnë që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm

Qeveria e Kosovës është deklaruar se janë duke punuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm.

Në një përgjigje për Tëvë1 Qeveria tha se “po punojmë dhe jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se për Kosovën s’ka ende lajme të reja sa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, kur kanë mbetur edhe dy javë në shënimin e 10-vjetorit.

Gjermania ka qenë e zëshme duke i bërë thirrje Kosovës që ta largojë masën e sigurisë për mallrat serbe duke e cilësuar në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Procesi i Berlinit është një nismë e vitit 2014 për të mbështetur integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. /teve1.info/