Tirane – Me debate te forta eshtë zhvilluar këtë të mërkurë në GJKKO gjyqi për vrasjen e Santiago Malkos, ku i pranishëm për herë të parë ishte dhe autori i dyshuar, Leonard Duka.
Gjatë seancës nëna e Santiango Malko ka shpërthyer në lot dhe i është drejtuar me tone të larta të akuzuarit për vrasjen e të birit, duke e pyetur se përse e bëri.
“O maskara, ma vrave djalin 25 vjeç, si del aty?”, i është drejtuar ajo në lot.
“Deklarimet e mia do i jap pasi të njihem me aktet. Do i jap deklarimet një herë tjetër. Dua më shumë kohë”, ka deklaruar Duka, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të nënës së Malkos.
Por prokurori Behar Dibra ka deklaruar se e konsideron si kërkesë të padrejtë duke shtuar se kanë rënë dakord seancën e kaluar që ai të fliste sot.
Pjesë nga diskutimet në sallë:
Nëna e Malkos: Nuk ka çfarë lexon fare. Burgim me vdekje.
Gjyqtarja Rudina Palloj: Kërcënimet janë të ndaluara në sallë të gjyqit.
Gjykata: Meqenëse i pandehuri shfaqi pëlqim për t’u pyetur por kërkoi kohë, vlerëson se nuk mund ta detyrojë atë të pyetet. Është çështje vullneti. Në këto kushte do i jepet kohë.
Avokatja e Dukës: Sot nuk jemi gati, por seancën e radhës vijojmë prapësimet dhe kur klienti të jetë gati të përgjigjet.
Leonard Duka: Prokurori është i njëanshëm, më akuzon si organizator i vrasjes së Santiago Malkos. Dhe kam venë re qe do të më dënojë…Prokurori mos të korruptohet nga kriminelët e vendit por të bëjë detyrën. Prokurori po kërkon të më dënojë pa fakt pa asgjë./tch