ShowBizzz

Ekskluzive/ Ardit Murataj rrëfen karrierën dhe planet për të ardhmen!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Alarmi i zgjimit mbi komodinën në dhomën e tij të gjumit bie sapo ora shkon 04:00, kur jashtë agimi ende nuk ja ka behur. Ky sezon i ri televiziv e gjen moderatorin në një tjetër logo, atë të RTSH, në një transmetim që nis në orën 06:00 të mëngjesit. “Mirëmëngjes Shqipëri” është shtëpia e re mediatike e Ardit Muratajt, i cili fatmirësisht e ka me tepri energjinë e mirë, për të zgjuar shikuesit shumë herët në mëngjes.

Ardit, prej shtatorit je pjesë e një tjetër logoje televizive, atë të RTSH. Si je gjendur deri më tani?

Jam gjendur mjaft mirë, i vlerësuar dhe gati për të treguar më të mirën time profesionalisht. Rëndësia e këtij programi për mua dhe gjithashtu RTSH është shumë e madhe, ndaj jam shumë i lumtur për besimin që më është dhënë. Ambienti është i mbushur me energji pozitive, solare, ndaj duke ditur që unë jam person që më pëlqen një ambient pune në logjikën e një familjeje, padyshim që është një plus i madh për t’u shprehur dhe unë më mirë. Po jap maksimumin tim çdo ditë për të mos zhgënjyer askënd, e mbi të gjitha për të bërë krenar çdo individ që më ka mbështetur. 

Ekskluzive/ Ardit Murataj rrëfen karrierën dhe planet për të

Një program që nis transmetimin në orën 06:00, e që do të thotë se zgjimi në mëngjes për ty është shumë më herët. Duket sfiduese apo jo?!

Mendoja se do të ishte një tmerr, por po ambientohem më mirë nga sa e prisja! Normalisht ka ditë që rehatia e krevatit është tunduese, por mjafton të mendoj energjinë e jashtëzakonshme që marr nga shikuesit, që edhe me ato kritikat e tyre më japin motivimin e duhur. Të zgjohesh në orën 04:00 të mëngjesit ka benefitet e veta, por dhe vështirësitë evidente. Është një cikël dhe proces sfidues që po më pëlqen shumë.

“Mirëmëngjes Shqipëri”  është një program që ka patur disa moderatorë. Në ç’formë i ke dhënë identitetin tënd ti këtij programi?

Duke qenë ai që jam! Pa filtra, pa komplekse, me shumë batuta, me shumë momente spontane, pa patur nevojë të sforcohem për t’u hequr si dikush politikisht korrekt. S’e besoja se mund të isha energjik edhe në orën 6 të mëngjesit, por unë futem në RTSH duke kënduar, kërcyer e qeshur, e po ashtu dal nga ai ambient. Mëngjesi është momenti më i rëndësishëm i ditës dhe dua që çdo person që bëhet pjesë e programit të shohë Arditin dhe Krisën, duke përcjellë pozitivitet çdo ditë. Kemi aq shumë nevojë si shoqëri për më shumë mirësi dhe dashuri, ndaj mënyra si trajtojmë temat është shumë e rëndësishme. Pastaj është e duhura apo e gabuara, atë e vlerëson publiku.

Pothuajse çdo televizion e ka një program mëngjesi. Cili është konkurrenti më i fortë që keni?

Konkurrenca është gjithmonë pozitive, të mëson të jesh me këmbë në tokë, të punosh më fort për të arritur maksimumin. Ekipi i programit kërkon çdo ditë të japë informacion të detajuar, rreth çdo teme që ne gjykojmë se ka interes për publikun. Po ashtu përpiqemi të kemi të ftuar cilësorë, personalitete, ekspertë të njohur në fushat respektive. A mund të veçoj një program në veçanti që e shoh si konkurrent? Jo, pasi secili ka një stil ndryshe. Ne kemi rubrika të veçanta që shumë programe të tjera nuk i kanë, ashtu siç dhe ata janë unikë në mënyrën e tyre. Qëllimi është i përbashkët, po ashtu si misioni i medias. Secili ka mënyrën e tij të interpretimit.

Të pëlqen më shumë të të quajnë “zëri i njohur i radios” apo “figura e njohur televizive”?

Televizioni më kishte munguar pa masë. Më kishte munguar magjia e tij, vëmendja, e çdo gjë tjetër, por prapë radio mbetet dashuria e parë. Do i zgjidhja te dyja dhe po mundohem t’i arrij të dyja me shumë punë, përulësi e sakrificë. Ka qenë ëndërr për mua të jem këtu ku jam sot, por qëllimi im është të arrij akoma më shumë. Ndaj, në të ardhmen dua që në sajë të kësaj pune dhe profesionalizmit të jem “Arditi, figura e njohur mediatike”.

Ekskluzive/ Ardit Murataj rrëfen karrierën dhe planet për të

Duke të të njohur nga ekrani është e vështirë të të identifikosh si introvert, apo ekstrovert. Ke zgjedhur vetë të shfaqesh i tillë?

Ndoshta e kam bërë pa e kuptuar por jo, Arditi është ekstrovert në maksimum. Unë adhuroj të udhëtoj, të dal, të dëfrehem. Madje të gjithë më thonë, “ti je i çmendur”. Mund të marr makinën, të bëj 600 km për të shkuar diku, thjesht se ashtu e ndjej!

Ekrani është një dritare e vogël, por që e aspirojnë shumë. Sa e vështirë ka qenë për ty të jesh ‘në treg’?

Ka qenë shumë e vështirë realisht. Shpesh jam demotivuar për ta vazhduar këtë rrugëtim, duke stërmenduar shumë gjëra, por prapë doja të vija me projekte të reja në ekran. Për mua ishte shumë e rëndësishme që projekti i radhës të ishte një program serioz me pritshmëri të larta, në mënyrë që të evidentohej më mirë potenciali im. E di përgjegjësinë që kam për institucionin e RTSH-së, e po ashtu për mua në këtë karrierë, që ndonëse po kap pragun 10-vjeçar, e di që kam shumë për të mësuar dhe dhënë. E quaj epoka e re e Arditit, pasi tani vij më i pjekur, më profesional dhe i motivuar për të treguar cilësitë e mia.

Nëse një program do të mbante autorësinë e Arditit, si do quhej dhe çfarë natyre do të kishte?

Si do quhej s’mund ta them, por e di shumë mirë se çfarë dua të bëj. Një format ‘late night show’ është vendi ku unë e projektoj veten në 10-15 vitet e ardhshme. Dua gjithashtu të provoj një format spektakli të mirëfilltë. Kam ende shumë punë përpara, por do ja dal. Megjithatë si fillim do të vazhdoj të zgjohem çdo ditë në orën 04:00, për të nisur mëngjeset me të gjithë shqiptarët.

Mesa dimë Kiara Tito dhe Liesa Haxhiasllani janë dy mikeshat e tua më të mira. Nëse do të duhej të zgjidhje vetëm njërën prej tyre për të bërë një program, cila do të ishte?

E di, gjëja më interesante ishte ajo që po diskutoja me Liesën para disa ditësh. Projektuam dhe imagjinuam sa magjike do të ishte nëse ne të tre do të ngjiteshim në skenën e Pallatit të Kongreseve, duke moderuar Festivalin e Këngës në RTSH. Një miqësi kaq e vjetër dhe e pastër, e cila u formua në një ambient pune e do kulmonte me një spektakël gjigant. Duket ëndërr, por s’e di pse unë e besoj se mund të realizohet një ditë.

Ekskluzive/ Ardit Murataj rrëfen karrierën dhe planet për të

Po një sekret, cilës do ja besoje më shumë?

(Qesh), varet cila do të ishte e disponueshme në atë moment, edhe pse unë zakonisht jam tip shumë hermetik e herë pas here edhe zhdukem, kur nuk ndihem mirë. Por si Liesa dhe Kiara janë mirëkuptuese dhe nuk më kanë paragjykuar, edhe për gabime që mund të kem bërë.

Ju njiheni si miq të mirë, por a ka patur rivalitet mes jush?

Kurrë, kurrë, kurrë dhe as nuk ka për të patur. Duam dhe do të duam gjithmonë më të mirën për njëri-tjetrin, në çdo aspekt jetësor apo profesional. Gëzohem kur Kiara arrin diçka që do, njësoj siç gëzohem për Liesën. Tani unë dhe Kiara presim të na bashkohet Liesa në ekran, por për momentin Lilin (kështu e quajmë ne Liesën) e presin ditët më të bukura në jetë, pasi shumë shpejt do të bëhet mami. Pas Lunës presim dhe gocën tjetër për fotot e radhës.



bal