“Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.
Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.
Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.
SHIKONI EDHE:
Sarrazin në Prishtinë: Tregu rajonal do të mundësonte zhvillim
Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.
Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.
Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.
BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.
“Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.
SHIKONI EDHE:
Pse CEFTA është e rëndësishme për Kosovën?
Ekspertët mbështesin heqjen e masave që ndalojnë importet nga Serbia
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia është marrë për arsye sigurie më shumë se një vit më parë dhe se është koha që të shqyrtohet seriozisht shfuqizimi i tij.
Ai thotë se ky vendim rrezikon jo vetëm punën e CEFTA-s, por edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord në vitin 2020.
“Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj, është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat, jo vetëm nga Kosova… Ne kemi probleme edhe me eksportimin e mallrave në Serbi, sepse ajo nuk e njeh dokumentacionin fitosanitar të Kosovës”, thotë Rafuna.
SHIKONI EDHE:
Ndalimi i importeve nga Serbia godet veriun
Me të pajtohet edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të “eksperimentojë” në bashkëpunim ekonomik rajonal.
Sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e integrimit ekonomik evropian dhe ajo nuk e ka “luksin” ta bllokojë bashkëpunimin rajonal me vendime politike.
SHIKONI EDHE:
Ndalesa e importeve nga Serbia rrit çmime në Kosovë
Rafuna: Investitorët e shohin rajonin si një treg
Rafuna, i cili është edhe kryetar i bordit drejtues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se të gjitha nismat rajonale janë të rëndësishme, andaj çdo pengesë që ndikon në funksionimin e tyre, duhet të hiqet.
“Ne jemi një vend i vogël, jemi një treg i vogël dhe të gjithë investitorët e shohin rajonin si një treg. Është e rëndësishme që mes nesh të mos ketë pengesa. Ato nuk janë mesazh i mirë për investitorët”, vlerëson ai.
Tregu në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rreth 18 milionë banorë.
Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe ekonomisti Gërxhaliu, i cili shton se CEFTA ka një rëndësi të madhe për biznesmenët, për shkak të përfitimeve doganore dhe plasimit të mallrave.
Ai nënvizon se edhe Procesi i Berlinit është një iniciativë e rëndësishme, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë që të përjashtohet.
“Nuk mund të presim investime të huaja nëse nuk ka stabilitet politik. Ai stabilitet politik nuk mund të arrihet nëse nuk kemi pjesëmarrje aktive në të gjitha nismat rajonale”, thotë Gërxhaliu.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 në Berlin, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një kontribut në perspektivën e zgjerimit të BE-së.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e Procesit të Berlinit: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Disa nga marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë: marrëveshja për njohjen reciproke të kartave të identitetit, të diplomave universitare, të kualifikimeve profesionale, pastaj bashkëpunimi në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, digjitalizimit dhe në roaming.
SHIKONI EDHE:
Bregu: Zero roaming me BE-në deri më 2027
Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.
Sarrazin i tha Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve – BIRN, më 23 shtator, se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi këtë javë Gjermaninë, ku kërkoi mbështetjen e këtij vendi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja.
Përmes një postimi në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.