1
Ushtria izraelite tha më 3 tetor se ka vrarë një udhëheqës të lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjatë një sulmi ajror të kryer në Rripin e Gazës rreth tre muaj më parë.
Sulmi, sipas ushtrisë izraelite, u krye ndaj një ndërtese nëntokësore në veri të Gazës, duke vrarë Rawhi Mushtaha dhe dy komandantë të tjerë të Hamasit, Sameh Siraj dhe Sameh Oudeh.
Hamasi ende nuk ka komentuar për këtë njoftim të bërë nga Izraeli.
Izraeli tha se tre komandantët ishin strehuar në një ndërtesë të fortifikuar nëntokësore në veri të Gazës, që shërbente si qendër kontrolli dhe komande.
Në njoftim u tha se Mushtaha ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Yahya Sinwar, udhëheqësit kryesor të Hamasit, që ndihmoi në planifikimin e sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit, sulm që nxiti luftën në Gazë.
Sinwar besohet se është gjallë dhe po fshihet brenda Gazës.
Më 7 tetor, radikalët e Hamasit vranë afër 1.200 persona dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë gjatë sulmit të tyre në veri të Izraelit.
Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë në Gazë. Deri më tani, si pasojë e luftës në Gazë janë vrarë më shumë se 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ministria ka thënë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. /REL/
ks