Lajme

Berisha: Rama i rikthyer tek etërit e tij mizorë duke hapur burgjet politike, por 7 tetori po vjen, të gjithë në…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në tubim e djeshëm poshtë banesës së tij është shprehur se dhuna ndaj deputetëve të opozitës është dëshmi flagrante e asaj çfarë mund të bëjnë narkodeputetët, dhe padrinoja i tyre kundër deputetëve të opozitës sot. “Qytetare dhe qytetarë, 7 tetori është prova jonë e madhe. Edi Rama, pas 32 vitesh pluralizëm, pasi zbrazi Shqipërinë më shumë se çdo pushtues tjetër, pasi vodhi dhe plaçkiti këtë vend sa asnjë sundimtar i huaj apo vendas në histori dhe shekuj, u rikthye në origjinën e tij. U rikthye tek etërit e tij mizorë. Hapi burgjet politike, proceset gjyqësore me dëshmitarë të rremë. Urrejtjen ndaj kundërshtarëve politikë e shpreh në mënyrat më primitive. Asnjë shqiptar nuk duhet të harrojë se është bastardi i xhelatit Kristaq Rama, që në vitin 1988, më 10 gusht, firmosi për të varur në litar kolosin, disidentin, luftëtarin e lirisë, Havzi Nela.

Por sot është një ditë që ne e nderojmë kujtimin e pavdekshëm të deputetëve të opozitës, të cilët u ekzekutuan për fjalën e lirë, për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, për besimin tek Zoti, besimin tek Shqipëria nga diktatura hoxhiste. Dhuna ndaj deputetëve të opozitës është dëshmi flagrante e asaj çfarë mund të bëjnë narkodeputetët, padrinoja i tyre kundër deputetëve të opozitës sot. Por sot, deputetët e opozitës janë shembulli i frymëzimit për mbarë shqiptarët. 7 tetori po vjen, të gjithë marshim drejt Tiranës. Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë! Fitore, fitore, fitore! Rrofshi ju, rroftë Shqipëria”, nënvizoi Berisha.