Kuzhinë

Kek me rrush të thatë dhe mollë – Ëmbëlsira e shëndetshme

Keku është një nga ëmbëlsirat më të thjeshta për t’u përgatitur, dhe nga më të mirat për t’u shijuar.

Recetat e tij janë nga më të pafundmet, pasi çdo gjë mund të kombinohet me brumin e tij të butë dhe të shkrifët.

Zbuloni hapat e recetës mëposhtë dhe shijojeni që sot me të dashurit tuaj duke e shoqëruar me pak reçel kajsie, akullore apo çokollatë të shkrirë.
Përbërësit:
3 vezë
1 filxhan çaji kos
1 e 1/2 filxhan çaj sheqer
1 filxhan kafe qumësht
1 filxhan vaj bimor
4-5 filxhan çaji miell
1 pako pluhur pjekës
100 gr rrush I thatë
lëngu i një portokalli
1 lugë çaji lëkurë portokalli
1-2 mollë
1 lugë çaji sheqer
1/2 lugë kafeje kanellë
Tepsi 26 cm

Përgatitja:
Fillimisht vendosim rrushin e thatë në lëng portokalli të zbuten. Në një tas vendosim vezët të plota, kosin, sheqerin, qumështin, vajin dhe të gjithë këto përbërës i përziejmë mirë deri sa të na formohet një masë homogjene.

Shtojmë miellin pak nga pak dhe pluhurin pjekës si dhe 1 lugë çaji lëkurë portokalli, përziejmë brumin. Shtrydhim rrushin e thatë nga lëngu i portokallit dhe i vendosim në brumë dhe vazhdojmë përzierjen.

Qërojmë mollën nga lëkura dhe e presim ne feta të holla. I spërkasim dhe ato me lëng portokalli dhe sheqer.

Lyejmë tepsinë me gjalpë e pudrosim me miell dhe vendosim brumin në të. Sipër brumit vendosim në formën e rrezes fetat e mollës duke shtuar mbi to dhe disa kokrra rrush të thatë.

Në fund 1 lugë çaji sheqer dhe 1 lugë kafe kanellë i përziejmë dhe pudrosim mollën në sipërfaqe, vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 175- 180 gradë Celsius për 35-40 minuta.

Në fund pasi e nxjerrim nga furra ashtu të ngrohtë mund të lyeni sipër me pak reçel kajsie.



ks