Lajme

Mjekë e infermierë të demotivuar nga pagesa, mbingarkesa dhe fyerjet 

Pritje të gjata, mungesë barnash, trajtim jo i duhur…

Radio Evropa e Lirë raporton shpesh për ankesat e pacientëve në Kosovë, por pakënaqësi ka edhe stafi shëndetësor.

Këtë javë, Federata e Sindikatave e Shëndetësisë mbajti një konferencë për media, ku listoi disa shqetësime të punonjësve shëndetësorë – në mesin e tyre: shkëputja e kontratës kolektive, mospagesa e punës në kushte rreziku, mospagesa e shujtave, ikja e mjekëve dhe infermierëve, mungesa e bashkëpunimit mes sindikalistëve dhe institucioneve shëndetësore e të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Shëndetësisë se a planifikon t’i adresojë këto ankesa dhe si, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Tre punonjës shëndetësorë, të fushave dhe të institucioneve të ndryshme, ndanë me REL-in ankesat e tyre.

Emërues i përbashkët i të gjithëve është: “pagesa jo e mjaftueshme”.

“Rrezikshmëria në punë nuk paguhet”

Mirlinda Krasniqi Ergini, infermiere/asistente e stomatologut në Sektorin e Shëndetit Oral në Prishtinë

“Unë e kam rrogën 503 euro në muaj. Puna në fundjavë nuk paguhet sa duhet. Avancimi në punë te ne nuk ndodh. Kjo është demotivuese”.

“As rrezikshmëria në punë nuk paguhet. Çdo ditë shpohemi, çdo ditë kemi atakim me mjete të rrezikshme të punës, me gjak, me pështymë…”.

“Jam e pakënaqur edhe me menaxhimin e punës, orarin, kontratën… Unë nuk jam e përcaktuar ku të punoj. Me kontratë e kam: ku të ketë nevojë edhe kjo më dëmton mua, por i dëmton edhe pacientët”.

“Renovime nuk bëhen. Është stresuese të punosh në një ambient jokomod, me ndriçim të pamjaftueshëm”.

“Punëdore në pauzë për të mbijetuar”

Belkize Kafexhiu, infermiere/mami në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec

“Rroga është shumë e vogël për të mbijetuar, edhe pse jetoj vetëm me djalin. Nuk jam e kënaqur. I marr 570 euro në muaj dhe jam gati në vitin e 40-të të punës. Shtesa për emergjenca nuk ka”.

“Unë shpesh jam detyruar të bëj punëdore në pauzë të punës, për të mbijetuar”.

“Ka pasur edhe raste kur kanë ardhur pacientët – nuk ka pasur barna – dhe na kanë thënë: hajna”.

“Pastaj, pacientët shpesh vijnë pasdite. Ne i kemi dy pediatër që punojnë deri në orën 14:00. Pacientët vijnë dhe thonë: pse nuk ka mjekë? Unë ballafaqohem me të gjithë”.

“Pacientit nuk mund t’ia kushtosh as 5 minuta”

Sadri Dervishi, mjek në Qendrën e Urgjencës në Prishtinë, konsideron se shteti duhet të sigurojë kushte për punë.

“Shteti nuk po arrin të na i plotësojë kushtet elementare në punë, ato që janë të shkruara në letër, në bazë ligjore. Nëse e ka shkruar që mua më takon edhe me ligj 25-30% pagesë më e madhe për rrezikshmëri, pse nuk ma plotëson? Nuk po kërkoj kushte shtesë, vetëm ato që janë të shkruara në ligj dhe në kontratë”.

“Kemi, pastaj, probleme edhe në organizimin e punës. Pacientët nuk janë të informuar se duhet ta zgjedhin mjekun tyre. E, nëse një pacient nuk e zgjedh mjekun e tij dhe shëtit herë te një mjek e herë te tjetri – kjo nuk është mjekësi”.

“Unë nuk mund të jem efektiv në punë, nëse kam fluks të madh të pacientëve. Kam pasur rast t’i kem edhe 50 pacientë në ditë, ndërsa me ligjin e Kosovës obligohesh që së paku 25 minuta t’ia kushtosh një pacienti. Sot as 5 minuta nuk mund t’i kushtohen”.