Lajme

Kurti: Serbia përbën kërcënim real për Kosovën

Lëvizja Vetëvendosje nisi sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, e ku kryeministri Albin Kurti, foli për punët e qeverisjes katër vjeçare, ndërsa theks të veçantë i dha sigurisë së vendit, e cila sipas tij po cenohet nga Serbia.

Lëvizja Vetëvendosje të shtunën nisi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm i cili do të mbahet dy ditë radhazi.E këtu erdhi edhe lideri i kësaj partie, kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Në praninë e ministrave, deputetëve e kryetarë komunash, kryeministri Kurti foli për arritjen katër vjeçare të qeverisjes së tij.

Theks të veçantë i dha kërcënimeve që vijnë nga Serbia, për çka i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar se Beogradit zyrtar duhet t’i kufizohen benefitet aktuale.

“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit demokratik në veçanti, SHBA-së, Bashkimit Evropian, Britanisë së Bashkuar që Serbisë t’i kushtëzohet benefitet aktuale, jo vetëm ato të ardhshme nga BE-ja, SHBA-të, dhe Mbretëria e Bashkuar. Duhet të sanksionohen ata që bashkëpunojnë me persona që ndodhen në listë të zezë në Ballkan”, tha Kurti.

Kreu i Ekzekutivit konsideron se duhet të kthehet siguria tokësore.

“Meqenëse Serbia brenda 2 viteve e ka sjellë katër herë Ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet të rikthehet zona tokësore e sigurisë të cilën NATO-ja e quan, “Ground safe zonë” në gjerësinë pesë kilometra rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë, i cili po sjell artileri, trupa shtesë dhe sistem kundër ajrorë kinez përberenda këtij rripi pesë kilometërsh”, tha ai.

Përveç kryeministrit, në këtë mbledhje fjalën e mori edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai tha se me qeverisjen aktuale, u largua ndikimi i Serbisë në Kosovë.

“Për shtetësi dhe sovranitet, kjo kurrë nuk do të kishte ndodhur nëse Lista Serbe do të kishte qenë pjesë vendimtare e qeverisjes qysh ka qenë me pushtetet e kaluara por populli e ka kuptua këtë, populli ynë është inteligjent e ka kuptua që duhet një mobilim shumë i madh krejt me u qua me arrit atë 51% që Beogradin me largu prej Kosovës”, tha Konjufca.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i dërgoi mesazh partive opozitare të cilët po drejtojnë akuza ndaj kësaj qeverie për korrupsion.

“Pra sulmet, tendencat për hakmarrje do të rriten, sepse plani i tyre i përbashkët është me arritë me ndiku te qytetarët, pra shpifja e tyre me u bë e vërtetë për qytetarët e Kosovës, sidomos një pjesë e përmendi Glauku po përpiqen me krejt çfarë kanë me thënë edhe ju jeni si ne, edhe ju jeni të korruptuar, por ata e dinë se ne kurrë nuk do bëhemi si ata”, tha Haxhiu.

Për punën në nivelin lokal folën edhe kryetarët e komunave të Kosovës të cilët vijnë nga radhët e partisë Vetëvendosje, ku i shpalosën të arriturat e tyre.

Në këtë mbledhje partia në pushtet u bëri thirrje anëtarëve të saj për mobilizim para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.