Rëra e gjetur në sipërfaqen e Marsit dhe Hënës mund të shndërrohet në tulla të forta të cilat mund të përdoren për të ndërtuar vendbanime të ardhshme në hapësirë, kanë zbuluar shkencëtarët.
Studiuesit në Trinity College Dublin zbuluan një mënyrë për të lidhur regolitin – shkëmbinjtë sipërfaqësor, rërën dhe pluhurin së bashku duke përdorur temperatura të ulëta dhe energji minimale.
Blloqet, të ndërtuara me nanotuba karboni, kanë një densitet relativisht të ulët, por shfaqin forcë që i afrohet asaj të granitit dhe mund të krijojnë struktura shtesë tokësore.
Profesor Jonathan Coleman, i cili drejton projektin kërkimor, tha se zbulimi mund të ndihmojë në kufizimin e sasisë së materialeve të ndërtimit që do të duhej të transportoheshin jashtë Tokës për të ndërtuar një bazë në Hënë.
Kur të ndërtohen strukturat në hapësirë, ata do të duhet të përdorin materiale të kufizuara nga toka, pasi ato janë të rënda për t’u transportuar.
Krijimi i blloqeve me regolit dhe nanotuba karboni do të minimizojë në masë të madhe nevojën për të transportuar materiale ndërtimi në hapësirë.
Meqenëse blloqet e ndërtimit përçojnë energjinë elektrike, ato mund të përdoren gjithashtu si një sensor i brendshëm për të monitoruar shëndetin strukturor të ndërtesave jashtëtokësore.
Këto struktura do të ndërtohen për të mbajtur ajrin brenda, kështu që aftësia për të zbuluar dhe monitoruar shenjat e hershme paralajmëruese se blloqet po dështojnë është thelbësore.
‘Forca mbresëlënëse’
“Ndërtimi i një baze gjysmë të përhershme në Hënë ose Mars do të kërkojë përdorimin maksimal të materialeve të gjetura në vend dhe minimizimin e materialeve dhe pajisjeve të transportuara nga Toka. Kjo do të thotë një mbështetje e madhe në regolit dhe ujë, të plotësuar nga sasi të vogla të aditivëve të fabrikuar në Tokë”, tha Profesor Coleman.
Reduktimi i emetimeve të CO2
Studiuesit besojnë se zbulimi mund të ketë gjithashtu implikime praktike për industrinë e ndërtimit në Tokë.
Kjo është për shkak të një nano materiali të ngjashëm të quajtur grafen. Sasi të mëdha grafeni mund të përzihen me çimento në beton, gjë që mund të rrisë rezistencën e betonit me 40%.
Rritja e forcës së betonit zvogëlon sasinë e nevojshme për të ndërtuar struktura.
Betoni është aktualisht substanca më e përdorur nga njeriu në botë. Prodhimi global i betonit është përgjegjës për rreth 8% të emetimeve totale të CO2 në botë./ BBC
/rtsh.al/