Shëndetësi

Çfarë ndodh kur lipaza është e lartë/ Kujt i rekomandohet përdorimi i suplementeve

Krahas amilazës, lipaza është një enzimë që është e nevojshme për tretjen e ushqimit. Prodhohet në pankreas dhe funksioni i saj është të zbërthejë yndyrat

Besohet gjithashtu se nivele pak më të larta të lipazës, të cilat arrihen duke marrë suplemente të enzimave të tretjes, mund të ndikojnë në përthithjen e yndyrës dhe kështu të çojnë në shtim në peshë. Nga ana tjetër, ka edhe përthithës të lipazës që ulin nivelet e kësaj enzime.

Lipaza është pjesë e indeve të shumë kafshëve, bimëve, baktereve dhe mykut. Në disa raste, lipaza përdoret edhe si suplement që përmirëson tretjen, zbut simptomat e urthit dhe probleme të tjera gastrointestinale.

Shkencëtarët theksojnë se nuk ka prova të mjaftueshme të mira shkencore, në bazë të të cilave ata mund të rekomandojnë përdorimin e lipazës për problemet e deklaruara të stomakut, transmeton Telegrafi.

Ajo zbërthen yndyrën në acide yndyrore

Lipaza është një enzimë pankreatike, ndërsa suplementet e enzimës pankreatike përmbajnë përbërës të shumtë duke përfshirë edhe lipazën. Disa janë miratuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për problemet e tretjes për shkak të çrregullimeve të pankreasit (pamjaftueshmëria e pankreasit).

Vetë enzima e lipazës i zbërthen yndyrnat në acide yndyrore dhe më pas sheqernat dhe yndyrat absorbohen në zorrën e hollë. Vlerat e referencës së lipazës janë 0-160 U/L, por duhet theksuar se ato varen nga metodat e analizës laboratorike. Përqendrimet e ngritura të amilazës dhe lipazës në gjak zakonisht tregojnë inflamacion akut të pankreasit. Megjithatë, rezultatet nuk duhet t’i interpretojmë vetë, mjeku do ta dijë më së miri se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.

Kur lipaza është e rritur?

Pas një sulmi akut të pankreatitit, vlerat e enzimës rriten brenda 4 deri në 8 orë, maksimumin e arrijnë brenda 24 orëve dhe më pas ulen brenda një ose dy javësh. Rritja e aktivitetit në gjak nuk është domosdoshmërisht e barabartë me ashpërsinë e sulmit. Mjekët thonë se te pacientët me veshka, vlerat e lipazës mund të rriten për shkak të uljes së filtrimit të veshkave. Ndonjëherë është shumë e vështirë për mjekët të interpretojnë rezultatet e pacientëve me çrregullime të funksionit të veshkave.

Ekspertët deklarojnë se nuk ka informacion të mjaftueshëm të besueshëm për sigurinë e përdorimit të suplementeve të lipazës. Për shembull, nuk ka asnjë provë se është i sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë ose ushqyerjes me gji, ose për foshnjat dhe fëmijët më të rritur. Gjithashtu nuk ka informacion të besueshëm për dozat e rekomanduara.

Kush mund të përfitojë nga suplementet?

Disa studime tregojnë se suplementet e lipazës mund të reduktojnë edhe ndjenjën e ngopjes. Besohet gjithashtu se nivele pak më të larta të lipazës, të cilat arrihen duke marrë suplemente të enzimave tretëse, mund të ndikojnë në përthithjen e yndyrës dhe në këtë mënyrë të rrisin peshën trupore. Nga ana tjetër, ka edhe frenues të lipazës që ulin nivelet e kësaj enzime dhe ndonjëherë përdoren si një ndihmës që mund të lehtësojë humbjen e peshës.