Dukuri tejet shqetësuese po konsiderohet të jetë rënia e interesimit për aktivitet fizik për fëmijët në shkolla fillore dhe të mesme dhe nga matjet antopometrike, të cilat i ka bërë Akademia Olimpike, ka rezultuar që fëmijët nuk bëjnë aktivitet fizik dhe janë të nivelit nën mesatar në këtë aspekt.
Adrian Telaku, kryetar i Federatës së Sportit Shkollor, ka thënë se gjendja në këtë drejtim është alarmante dhe se po provohet që kjo të përmirësohet sado pak përmes programeve të ndryshme sportive.
“Nga matjet antopometrike të cilat i ka bërë Akademia Olimpike, si rezultate kanë ardhur që fëmijët nuk bëjnë aktivitet fizik dhe janë të nivelit nën mesatar në aktivitete fizike. Kjo është dukuri shqetësuese, por nuk është se kemi pritur ndonjë rezultat tjetër për arsye se në vendin ku po jetojmë dhe më fëmijët që kemi punë çdo ditë e shohim që aktiviteti fizik mungon…Është alarmante, nuk është urgjente por alarmante, shumë alarmante. Praktikisht ne po mundohemi që përmes programit fëmijëve t’iu japim mundësi që të bëjnë aktivitete fizike, por ajo që është më e mira në këtë aspekt është që ky aktivitet nuk ka nevojë të paguhet”, ka thënë Telaku.
“Gjendje të rëndë” këtë situatë e ka quajtur edhe tashmë ish-dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, Musa Selimi. Ai ka kërkuar që të shtohet numri i orëve të Edukatës Fizike në shkollat fillore.
“Te ne e kemi gjendjen shumë të keqe, shumë kritike, siç e thash është në forumin Komitetit Olimpik të Kosovës, MKRS dhe fakulteti ynë, gjendja është alarmante. Me obezitet jemi shumë keq, jemi me mungesë të aktivitetit fizik, mungesë të kushteve por edhe të interesimit të fëmijëve për shkak të mjeteve elektronike që sot telefonat dhe shumë teknika tjera që janë në pronësi të fëmijëve dhe kjo është shqetësim i madh i yni si ekspertë të fushës sepse mendojmë që nëse rritet fondi i orëve do të zbutet kjo situatë alarmante dhe fëmijët tanë do të kenë shëndet më të mirë”, ka deklaruar Selimi.
Që shtimi i orëve do të ndikonte pozitivisht në përmirësimin e kësaj situate e kanë thënë edhe nga Ministria e Sportit. Drejtori i Departamentit të Sporteve në këtë ministri, Ibër Alaj, ka thënë për KosovaPress, se dy orë të Edukatës Fizike në shkolla janë shumë pak.
“Si rezultat u hulumtimeve dhe rekomandimeve që kanë dal nga hulumtimet e bëra nga profesorë të ndryshëm, por edhe nga institucionet kredibile, konsiderojmë që duhet të fillojmë nga cikli i ulët që është nga klasa e parë, pa përjashtuar edhe ata në parashkollor, por së paku që një profesor i Edukatës Fizike të jetë edhe në ciklin e ulët të mesëm, por edhe në shtimin e orëve të edukimit fizik sepse konsiderojmë që dy orë janë pak në edukim fizik dhe fillimisht ishte dashur të synohet një shoqëri aktive dhe me potencial për sportin, të ketë tri orë edukim fizik”, theksoi Alaj.
Mosaktiviteti fizik, sipas Selimit, sjellë sëmundje dhe deformime të shumta te fëmijët.
“Në shumë aspekte është e dëmshme, e para në aspektin e shëndetit, e dyta në aspektin e deformimeve të cilat janë me shumë numra si lodos, kifoz, skulioz, deformitete të ndryshme trupore, mungesë të disponimit, mungesë të vullnetit, të motivit, të gjitha këto komponentë ndikojnë negativisht tek fëmijët dhe ndikojnë edhe në nxënie, në mësim, në kualitet në performacën e tyre dhe sigurisht ndikojnë edhe ë zhvillimin harmonik të tyre”, ka bërë të ditur Selimi.
Për mundësinë e rritjes së orëve të Edukatës Fizike në shkollat fillore, KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli