Lajme

Nesër 1 vjet nga sulmet e Hamasit, Von der Leyen kërkon armëpushim në Gaza

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dalë me një qëndrim për një vjetorin e 7 tetorit kur nisën sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.

Në reagimin e saj, Von der Leyen tha se nuk mund të ketë asnjë justifikim për aktet terroriste të Hamasit, dhe se i dënon edhe një herë, dhe “në termat më të ashpër të mundshëm, ato sulme barbare”.

“Ata sollën vuajtje të pamasë jo vetëm mbi popullin e Izraelit, por edhe mbi palestinezët e pafajshëm. Në këtë përvjetor tragjik, dua të nderoj viktimat. Bashkimi Evropian qëndron përkrah të gjithë njerëzve të pafajshëm, jetët e të cilëve janë shkatërruar deri në palcë që nga ajo ditë fatale”.

“Ne përsërisim thirrjen tonë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, për lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve dhe për t’i dhënë fund konfliktit. Ne mbështesim përpjekjet e vazhdueshme diplomatike për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në reagimin e Von der Leyen.

Një vit më pas, situata humanitare në Gaza është e tmerrshme. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të bëjë maksimumin për të dhënë ndihmë financiare dhe për të lehtësuar dërgesat dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare, për popullin palestinez, dhe tani edhe në Liban.

“Sulmet terroriste të Hamasit ndaj Izraelit ndezën një spirale dhune që e ka sjellë të gjithë rajonin në një gjendje tensioni dhe paqëndrueshmërie ekstreme. Të gjitha palët duhet të veprojnë me përgjegjësi, me përmbajtje dhe të angazhohen për të depërshkallëzuar tensionet aktuale”, thuhet në reagim.