Lajme

Mazreku: Ndryshimi i masës për mallrat serbe do të shihet pengesë shtesë nga institucionet evropiane

Ekonomisti, Ibish Mazreku, mendon se institucionet evropiane do ta konsiderojnë si pengesë shtesë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdarë.

Sipas Mazrekut, ky vendim është një lëvizje taktike e qeverisë Kurti vështirë e implementueshme.

“Institucionet evropiane sigurisht që do të reagojnë sepse kjo do të trajtohet edhe si një pengesë shtesë, është një lëvizje taktike mund ta quajmë e qeverisë  sonë, që ne po i lejojmë këto hyrjet e mallrave serbe, mirëpo nga ana tjetër do të kemi kontrolla të shtuara, që janë të panevojshme dhe vështirë të implementueshme”, ka thënë Mazreku në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ai po ashtu, e ka vlerësuar si vendim për efekt elektoral por që shpreson se do t’i shërbejë politikës në të ardhmen.

“Këtë vendim të qeverisë e shoh më shumë për efekt elektoral sesa që do të arrihet diçka konkrete. Unë shpresoj që janë kalkulime të mira politike që në të ardhmen do ti shërbejnë politikës dhe zgjedhjeve të ardhshme”, ka shtuar Mazreku

Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdarë.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media, ku ka thënë se kjo masë që po bëhet vetëm në një pikë kufitare, është e mjaftueshme për proceset që vinë ditëve në vijim, ku përfshihet edhe heqja e kushtit nga Gjermani për të marrë pjesë në Procesin e Berlinit./teve1.info/

Konfirmohet ndryshimi i masës së sigurisë ndaj produkteve serbe në Merdarë