Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i tha të enjten agjencisë së lajmeve Associated Press se rajoni i Ballkanit ka gëzuar shkallën më të madhe të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të fundit, por se kjo mund të ndryshohet nëse Rusia mbizotëron në Ukrainë dhe inkurajon zgjerimin serb.
Krahas kësaj, kryeministri ynë argumentoi se një Rusi më e fortë do të trimëronte Serbinë – dhe se jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja, Mali i Zi dhe ndoshta Maqedonia e Veriut do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati serb, Cedomir Stojkoviq.
Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se Rusia ka ndikim të jashtëzakonshëm në Serbis, derisa tha se janë të lidhura ngushtë njëra me tjetër.
Cedomir Stojkoviq
Madje, avokati serb tha se ka një pauzë të veprimeve ruse në terenin e Ballkanit, pasi po presin rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, nga të cilat do varen shumë vendime të mëdha.
“Forcat politike, inteligjente dhe propagandistike ruse janë jashtëzakonisht të forta në Serbi dhe janë të lidhura me të gjitha institucionet shtetërore dhe shoqërore dhe janë gjithmonë të gatshme të veprojnë sipas urdhrave të Kremlinit dhe të mobilizojnë opinionin publik dhe aktorët politikë për të arritur interesat e Rusisë. Ajo që shohim tani në Serbi është vazhdimi i propagandës ruse me synimin për të ruajtur ndikimin e saj, por shohim një pauzë në veprimet e tyre në terren. Kjo ndërprerje u shkaktua vetëm nga zgjedhjet në SHBA, rezultati i të cilave do të varet nga vendimet e shumta politike jo vetëm në Evropë, por edhe në Rusi. Rusia thjesht pret rezultatin e atyre zgjedhjeve për të marrë vendimet e saj bazuar në rezultatet e tyre. Këto vendime do të vlejnë edhe për Ballkanin”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Stojkovqi potencoi se shteti rus është në pritje të rezultateve zgjedhore në SHBA, me që rast menjëherë do lëshojë urdhërat për agjentët në Serbi dhe gjithë Ballkanin.
Në këtë pikë, ai paralajmëroi se qetësia aktuale në Serbi është vetëm qetësia para stuhisë.
“Me pak fjalë, rezultati i zgjedhjeve amerikane do të varet nga urdhrat që Rusia u jep agjentëve dhe organizatave të saj në Serbi, por edhe në të gjithë Ballkanin. Çfarëdo urdhri që të marrin, nuk do të jenë në interes të paqes, por në interes të konfliktit dhe në interes të forcimit të interesave imperialiste ruse, që do të thotë edhe me qëllim të forcimit të politikave agresive në Serbi. Nuk kam asnjë dilemë – qetësia aktuale në Serbi është vetëm qetësia para stuhisë, e cila do të fillojë në momentin që zgjedhjet amerikane të përfundojnë. Unë thjesht nuk mund të vendos në këtë moment se cilën metodë do të zgjedhin dhe zgjedhja ruse varet nga kush do të jetë presidenti i SHBA. Sepse varet nga presidenti i SHBA-së se kush do të jetë drejtor i CIA-s dhe nga gatishmëria e Amerikës për të ndërhyrë në Ballkan në përgjithësi. Rusia e di këtë, dhe po ashtu edhe qeveria në Beograd.
Ndër të tjera, avokati serb shtoi se parashikimet e kryeministrit Kurti janë shumë të sakta dhe do të shohim përkeqësim të situatës së sigurisë në Ballkan.
“Të gjithë e dimë se sa ndikim ka Beogradi në ngjarjet në Bosnje dhe Hercegovinë, por vitet e fundit është parë një fuqizim i dukshëm i ndikimit të Beogradit në Maqedoninë e Veriut. Për dy vjet, propagandistët pro-rusë nga Serbia, të lidhur mirë me qeverinë, kanë qenë gjithnjë e më aktivë në Maqedoni, duke përhapur narrativat ruse atje. Këto janë të njëjtat narrativa që forcojnë agresionin e autoriteteve në Beograd. Prandaj, parashikimet e zotit Kurti janë shumë të sakta dhe do të shohim përkeqësimin e situatës së sigurisë në Ballkan pas zgjedhjeve amerikane, e veçanërisht pas inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Dhe ky përkeqësim i situatës së sigurisë do të jetë më i madh nëse Trump fiton, sepse do të inkurajojë të gjitha rrymat nacionaliste dhe proruse në Serbi që të realizojnë synimet e tyre”, përfundoi Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.