Lajme

Haradinaj për lejimin e mallrave serbe: Kurti tentoi ta mbulojë me lëmoshën 20 euro për pensionistët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se në “mënyrë klandestine” e mori vendimin dje për heqjen e ndalesës për mallrat serbe në pikën kufitare të Merdares

Ai këtë e quajti si përsëritje të vendimit për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, të cilën e kishte vendosur vetë Haradinaj sa ishte kryeministër.

“Dje, në mënyrë klandestine Kryeministri Kurti hoqi masat ndaj mallrave të Serbisë. Kjo ishte përsëritje e vendimit për heqjen e tarifës 100% që pata vendosur më 2018. Ky është koncesioni i radhës i Albin Kurtit, i cili popullit i shet propagandë e Serbisë i bën koncesione. Ai bën koncesione pasi paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës e pas koncesionit dëmi i mbetet Kosovës. Ai bëri koncesione të vonshme edhe për anëtarësim në Këshill të Europës, por Kosova mori vetëm dëmin por jo anëtarësimin”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me “20 euro lëmoshë” për pensionistët.

“Koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me 20 euro lëmoshë për pensionistët, por si shoqëri e kemi obligim ta ballafaqojmë me propagandën e tij dhe dëmet që po i bën Kosovës. E thënë edhe më herët, Kurti nuk i shërben Kosovës”.