Lajme

Shatri thotë se do të ketë lirim të çmimeve të produkteve pas ndryshimit të masës për mallrat serbe

Nga e marta, përmes pikës kufitare të Merdarës mund të hyjnë mallra serbe, por për hyrje të tyre do të ketë kontrolle të shtuara dhe të detajuara nga Dogana e Kosovës. Kështu ka kërkuar Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës gjatë së hënës.

E lidhur për këtë çështje ish-ministri i Financave, Haki Shatri ka thënë se ndalesa e mallrave serbe dhe sanksionet që u janë bërë Kosovës për shkak të veprimeve të pakoordinuara kanë sjell deri tek bllokimi i fondeve.

Se a do të ketë lëvizje të çmimeve dhe lirim të produkteve, ish-ministri thotë se disa mallra nga Serbia për shkak të afërsisë së tregut mund të jenë më të lira.

“Mundësia për me i kontrolluar mallrat tregtare është shumë më e lehtë dhe ata që kanë dështu në këtë mandate është që me i ndalu autoblindat serbe. Zvogëlimi i sasisë së importit nga Serbia dhe zëvendësimi i atyre mallrave në mallrat e ngjashme nga vendet e tjera të regjionit por kanë rezultuar që të jenë më të shtrenjta. Këtë targë e ka paguar konsumatori i vendit. Në lëvizjen e çmimeve a do të ketë lirim të produkteve a po jo, mendoi që do të ketë ndikim pozitiv sepse disa mallra të konsumit që sigurohen nga Serbia, sigurisht që e kanë një kosto më të lirë për shkak të afërsisë së tregut. Ndalesa e mallrave serbe dhe sanksionet që u janë bërë Kosovës për shkak të veprimeve të pa koordinime kanë sjell deri tek bllokimi i shumë fondeve të cilat kanë pas më u realizua si projekte brenda këtyre viteve në Kosovë dhe janë stopuar dhe janë në proces të ngrirë”, ka deklaruar Shatri.

Në ditët e fundit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pensioneve për 20%.

E sipas ish-ministrit, rritja e pensioneve është rrit vetëm për një numër, por siç tha ai nuk është rrit mundësia për të blerë 20% më shumë mallra.

“Rritja e pensioneve nuk është rritje, është rrit vetëm një numër, por nuk është rrit mundësia për të blerë 20% më shumë mallra. Pensioneri i cili e ka marrë pensionimin e pleqërisë 100 euro, më shumë mallra ka blerë në vitin 2021 se sa sot që mund të blejë me 120 euro. Inflacioni më i përgjegjshëm në këto tri vite e gjysmë është 23% rritje, por pensionerëve dhe kategorive më të lëndueshme i intereson çmimi i produkteve elementare. Pensioni në mënyrë absolute nuk është rrit, çmimet janë rrit deri në 60 % dhe ajo kategori e njerëzve është varfëruar për 60%”, ka shtuar Shatri./teve1.info/