Lajme

Piraj: I kemi barrë njerëzit që s’kanë kontribuuar asgjë dhe marrin pension

Udhëheqësi i grupit “Besa Besë”, Burim Piraj, thotë se shteti i ka barrë personat që s’kanë kontribuuar asgjë në trust, por që marrin pension.

Piraj tha se Kosova është njëra ndër shtetet e rralla që jep pensione pa kontribuuar.

“Jemi ndër shtetet e rralla që jepim pensione pa kontribuuar kurrë në trust, këtë rast në institucionin e pensioneve të Kosovës. Duhet që dikush të kontribuojë në mirëqenien e vetë në pleqëri. Ne kemi konsideratë për pleqtë. Çdo plak ka qenë i ri, çdo plak ka qenë fëmijë dhe ka qenë në vlogun e punës”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai tha se shteti nuk shtyhet përpara duke i mbajt njerëzit me pensione e skema sociale.

“Ne kemi plotë njerëz që pa dhënë kurrfarë kontributi marrin para të qytetarëve të Republikës së Kosovs, tatim paguesve të Kosovës. Edhe unë po them që duhet me i marrë, kam respekt. Por, duhet ta kemi parasysh që ne e kemi një barrë shumë të madhe prej njerëzve të cilët kurrë nuk kanë kontribuuar në trust edhe marrin para… nuk mundemi më kështu me shty përherë shtetin me i mbajt njerëzit me ndihma me pensione e me skema sociale”, deklaroi Piraj.

Qeveria e Kosovës njoftoi më 7 tetor një rritje prej 20 për qind të pensioneve që financohen nga shteti. Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe mijëra pensionistë që kanë më pak se 15 vjet stazh pune para luftës së viteve 1998-99 e që përfitojnë vetëm pension të moshës./teve1.info/