Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka njoftuar se në emër të 42 deputetëve ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për të premten në ora 12:00.
Sipas Tahirit, kjo kërkesë është bërë për të kuptuar se sa thellë e ka përfshirë ky pushtet, terroristin Milan Radojçiq, në diktimin e agjendës së Kuvendit të Kosovës.
“Ky turp nga rrafshi moral e ky degradim nga rrafshi institucional, ku një terroristi dhe një personi që gjendej në Listën e Zezë të SHBA-vë, iu është mundësuar ta diktojë agjendën e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të kalojë pa përgjigje”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai po ashtu, ka kërkuar nga shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, që të evidentojë me emër, mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata persona të cilët i përmendi në seancën e së enjtes, të cilët sipas saj kanë qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit dhe i kanë dërguar dhurata atij.
“Njëherit, në përpjekje për t’ia ndryshuar kahjen këtij mega skandali, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha sot në Kuvend se “imagjinoni kur do të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiqit, imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës” duke aluduar se ajo i di dhe i ka parë të njëjtat. Populli nuk meriton mjegull. Prandaj, e ftoj zonjën Kusari që nesër, para seancës në konferencë për media, apo gjatë seancës, t’i publikojë këto fotografi një për një, të evidentojë me emër e mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata që paskan qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit dhe që i paskan dërguar dhurata atij”, ka shkruar tutje./teve1.info/