Lajme

Luzha thotë se tema e përgjimeve në kohë fushate është e zakonshme

Besa Luzha, njohëse e zhvillimeve politike, ka deklaruar se çështja e përgjimeve, që sot u bë temë debati edhe në Kuvendin e Kosovës, është një gjë e zakonshme, duke marrë parasysh se jemi në kohë fushate.

“Kjo është e zakonshme, sepse është kohë parazgjedhore dhe lufta politike paksa ashpërsohet, por të mos jenë me tensione. Por nëse është diçka e jashtëzakonshme, jashtë veprimeve politike, ka institucionet që merren me ato punë. Nëse mendojmë që ka qenë një akt tradhtie apo kundër Kushtetutës, dihet vendi ku duhet trajtuar”, tha Luzha sot në Info Plus në RTK.

Besa Luzha, njohëse e zhvillimeve politike, tha se interesi i shtetit nuk mund të varet nga vendqëndrimi dhe vendnumërimi nga deklaratat e dhëna ndaj militantëve dhe votuesve, por politikanët duhet të jenë të sinqertë.

Luzha foli edhe për vizitën e Aleksandër Kasanof, i dërguari i veçantë i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, në Kosovë.

Sipas saj, Kasanof, si vazhdues i punës së Gabreil Escobar-it, ka një përvojë në rajon, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, politikave globale dhe ka njohur në zhvillimet që kanën ndodhur në rajon dhe më gjerë. Vizita e tij është më tepër me karakter njohës, shtoi Luzha.

Ajo më tej ka folur për raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, nëpër kohë, të cilat, në raste sporadike kanë pësuar lëkundje.

“Zhvillimet dinamike që janë duke ndodhur në rajon, interesi i shtetit nuk mund të varet nga vendqëndrimi dhe vendnumërimi, nga deklaratat e dhëna ndaj militantëve dhe votuesve. Kur merr rolin e kryeministrit e lë petkun partiak dhe punon për interesat e shtetit”, deklaroi Luzha.

Luzha u shpreh se në të ardhmen partitë të jenë të kujdesshme në premtimet elektorale. “Politikanët duhet të jenë të sinqertë”, tha ajo, teksa shtoi se duhet të kemi proces reflektues, në mënyrë që edhe zbrapsja dhe ndryshimi i vendimeve të vije si rezultat i diskutimeve të hapura.

Ajo më tej shtoi se në diplomaci nuk mund të argumentohet me anë të së drejtës. “Kjo varet nga zhvillimet në rajon, kërkojnë që të veprohet ndryshe, prandaj quhet diplomaci”.

“Që të jemi shtet i pavarur, është e drejtë. A mund të jetojmë vetëm e të përparojmë, meqë është e drejtë? Jo. Sepse në fakt jemi të varur nga ndihma përmes miqve në ekonomi, ndihmë juridike,  legjislative”, deklaroi Luzha, ,derisa shtoi se rruga e Kosovës është e trasuar drejtë vlerave evropiane.