Lajme

Nagavci dhe Haxhiu kërkojnë nga prindërit të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një videomesazhi kanë apeluar tek të gjithë prindërit që të kenë kujdes të shtuar ndaj përmbajtjeve që fëmijët shikojnë në internet.

Nagavci, ka kërkuar që të përkujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë në mënyrë që të krijohet rrjeti i qëndrueshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online, dhuna, lëndimi i vetes dhe i të tjerëve.

“Mësimdhënës të dashur, vazhdoni t’i mësoni e udhëzoni fëmijët që ta përdorin internetin në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme. Të nderuar prindër, të dashur qytetarë, secili prej nesh të përkujdeset për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimi të teknologjisë në mënyrë që së bashku të krijojmë rrjetin e qëndrueshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online, dhuna, lëndimi i vetes dhe i të tjerëve. Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive”, ka thënë ministrja Nagavci.

Ndërsa, Haxhiu, ka thënë se si prindër monitorimi dhe udhëzimi është i rëndësishëm për t’i mbrojtur fëmijët nga platforma si TikToku të cilat siç është shprehur mund të kenë ndikim të fortë dhe negativ në vetëbesimin e tyre.

“Fëmijët janë e ardhmja dhe për ta kemi shumë përgjegjësi. Ju bëj thirrje të jeni të vëmendshëm ndaj përmbajtjeve që fëmijët shikojnë në internet. Monitorimi dhe udhëzimi jonë si prindër është i rëndësishëm për t’i mbrojtur nga rreziqet që mund të fshihen në rrjete. Platformat si TikTok mund të kenë ndikim të fortë negative në vetëbesimin dhe mirëqenien e fëmijëve”, është shprehur ajo.