Lajme

Ish-ushtari i UÇK-së boton dy libra

Sot, është bërë përurimi i dy librave në Shtëpinë e Kulturës në Shtime. “Aromë lirie” dhe “Nën hijen e dashurisë” janë librat e autorit Safet Syla, i cili ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E gjithë ceremonia u hap nën tingujt e lahutës e me një monolog.

Në shtëpinë e Kulturës në Shtime u mblodhën të shtunën dhjetëra qytetarë.

Aty u bë përurimi i librave “Aromë lirie” dhe “Nën hijen e Dashurisë” të autorit Safet Syla.

E puna e Sylës, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vlerësua me respekt e admirim.

“Poeti njëherë në një kohë para lirisë e ka kuptuar thellë mungesën e lirisë dhe ky ka qenë shqetësimi i tij kryesor. Pastaj poeti shkruan edhe për masakrën e Reçakut ku në Poezinë e tij me titull, aty ku dëgjohet kënga e lirisë qielli rrëshqet dhe mbyll sytë e tij të trishtuar me pllakat e rrethuara nga vuajtja”.

Nën tingujt e pianos, u recituan edhe disa nga poezitë e ish-luftëtarit.

Krejt në fund, para të pranishmëve foli edhe autori Safet Syla.

Ai tha se veprat e tij gjatë luftës, do të mbesin si dëshmi në librat e tij.

Derisa pati një falenderim të veçantë.

“Fillimisht falënderoi bashkëshorten time që më ka mbështetur në periudhën më të lavdishme të UÇK për kujdesin për tre fëmijët. E pastaj gjithë shokët e mi gjatë gjithë rrugëtimit deri në përfundim të çerek shekullit të parë pas përfundimit të luftës”, tha autori i librave, Safet  Syla.

Në përfundim të promovimit, autori ua dhuroi nga një libër të gjithë të pranishmëve në sallë.