Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është përfshirë në një debat me organizatën joqeveritare “Sea Watch”, në lidhje me kampet e Gjadrit dhe Shëngjit që ditën e nesërme pritet të presin dhe emigrantët e parë.
Ishte organizata joqeveritare “Sea Watch”, e njohur për shpëtimin e emigrantëve në det, ajo e cila kritikoi ashpër qeverinë italiane, duke e akuzuar për shpenzimin e miliona eurove të taksapaguesve për të “burgosur mijëra emigrantë në Shqipëri”. Organizata sugjeroi se këto para mund të ishin përdorur shumë më mirë nga ana e qeverisë.
Kryeministrja Meloni reagoi menjëherë ndaj këtyre akuzave, duke i cilësuar ato si skandaloze. Ajo mbrojti vendimin e saj, duke theksuar se qeveria, me një mandat të qartë nga qytetarët, po punon për të mbrojtur kufijtë italianë dhe për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe veprimeve konkrete.
Mbërritja e emigrantëve të parë në këto qendra pritjeje në Shqipëri pritet të ndodhë këtë javë, ndërsa debati publik mbi marrëveshjen dhe kostot e saj vazhdon të përshkallëzohet në Itali.
Debati i zhvilluar në rrjetin “X” mes kryeministres Meloni dhe organizatës “Sea Watch”: