Lajme

Scholz kërkon normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë bërë bashkë në Gjermani në kuadër të procesit të Berlinit. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje edhe njëherë Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

Berlini i bëri sërish bashkë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u prit nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Ky i fundit, në hapje të samitit fokusin e zhvendosi tek Kosova dhe Serbia, ku kërkoi që të bëjnë hapa përpara në normalizimin e marrëdhënieve si dhe t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, u shpreh kancelari gjerman.

I pari i Gjermanisë tha se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm atëherë kur anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane.

“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën. Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

Ndërsa kryeministri kosovar, Albin Kurti, bëri të ditur se nga janari Kosova do të lejoj hyrjen e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës me letërnjoftim

“Përderisa entiteti i Republikës Serbe refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se është koha e fundit që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për BE pas rreth dy vite pritje.

Kosovën dhe shtetet tjera në Ballkanin Perëndimor tha se i sheh si pjesë të bllokut evropian në të ardhmen edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ne shikojmë nga e ardhmja ku të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të BE-së. Parakushti i parë është respektimi i vlerave tona, respektimi i demokracisë dhe shtetit ligjor dhe parakushti i dytë është integrimi i hershëm ekonomik – dhe kjo është arsyeja pse Procesi i Berlinit luan një rol kyç”, tha ajo.

Në fund, Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, për vitet 2025-2028, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.