Lajme

Selmanaj: Në këtë Qeveri ka korrupsion, Kurti do të intervistohet nga Prokuroria

Driton Selmanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, beson se kryeministri Albin Kurti do të intervistohet nga Prokuroria Speciale për disa nga rastet që ka hetime që kanë ndodhur në disa ministri.

Selmanaj ka thënë se në këtë qeveri ka korrupsion të strukturunë.

“Kjo qeveri ka korrupsion të strukturnë, kjo qeveri ka korrupsionin në nivelin më të lartë që kemi parë në histori të Kosovës. Prej Albin Kurti e të poshtë. Jam i bindur se Albin Kurti një ditë prej ditësh do të jetë njëri nga të intervistuarit prej Prokurorisë Speciale”, ka thënë Selmanaj në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1.

Ai ka përmendur raportimet për përfshirje në afera të ambasadorit Martin Berijash, rastin e ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe rastin e rezervat shtetërore, të cilat sipas tij Kurti ka qenë i pari që i ka mbrojtur.

Selmanaj ka thënë se Kurti ka pasur njohuri edhe për rastin e ambalazhuesve në Ministrinë e Mjedisit, ku dy persona janë arrestuar si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.