Lajme

Vra*sja e 15-vjeçarit në Shkodër/ Takimi ishte rastësor, autori mohon konflikte me viktimën, për çfarë dyshohet

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, ku një 15-vjeçar është goditur për vdekje me mjet prerës (thikë).

Një konflikt çasti gjatë një takimi rastësor, është bërë shkak për vdekjen e një 15-vjeçarit të identifikuar si Emiljano Gjoni.

Autori 15-vjeçar, i ndaluar nga policia në prani të psikologut ka treguar para policisë se takimi ka qenë rastësor në lagjen “Skënderbeg”. Ai është shprehur se e njeh viktimën me emër, por jo që ka pasur ndonjë kontakt më të.

Sipas burimeve të gazetarit Edison Vatnikaj, viktima ka marrë vetëm një goditje, ç`ka i ka shkaktuar vdekjen.

Ndërsa nga këqyrja fizike e autorit, është konstatuar një e çarë me thikë në supin e majtë, ku sipas policisë dyshohet të ketë pasur përleshje.

Sipas uniformave blu, besohet se në këtë krim autori të mos ketë qenë i vetëm, por të ketë pasur bashkëpunëtor.

Për të zbuluar këtë rrethanë, hetuesit kanë nisur me këqyrjen te vendit të ngjarjes dhe marrjes së kamerave të sigurisë.