Kuriozitete

NASA nis misionin në Jupiter, do studiojë nëse është e banueshme një nga hënat e tij

NASA ka nisur një mision për të studiuar një nga mjediset më premtuese të sistemit diellor që mund të jetë e përshtatshme për zhvillimin e jetës.

Anija kozmike Europa Clipper e NASA,  e projektuar për të eksploruar hënën Europa të Jupiterit, u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.

Nisja ishte parashikuar për 10 tetor, por u vonua nga uragani Milton. Anija kozmike ka hyrë me sukses në orbitë dhe NASA konfirmoi se po komunikon me anijen dhe merr të dhëna.

Europa Clipper do të shërbejë si anija e parë kozmike e NASA-s që do të studiojë një botë oqeanike të mbuluar nga akulli në sistemin tonë diellor dhe synon të përcaktojë nëse hëna Europa e Jupiterit është apo jo e banueshme.

Oqeani i hënës Europa vlerësohet se përmban dy herë më shumë ujë sesa oqeanet e Tokës.

Misioni prej 5.2 miliardë dollarësh filloi si koncept në vitin 2013, por rruga drejt nisjes nuk ka qenë pa sfida. Në maj, inxhinierët zbuluan se komponentët e anijes kozmike mund të mos jenë në gjendje të përballojnë mjedisin e ashpër të rrezatimit të Jupiterit. Megjithatë, ekipi ishte në gjendje të përfundonte testimin e nevojshëm në kohë dhe të merrte miratimin në shtator për të vazhduar drejt nisjes.

/rtsh.al/