Lajme

“Mesazhet Mihali-Krasniqi”, Pacolli: Kam qenë i vetmi që iu kam votuar, por jeni thelluar në skandale

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj Qeverisë Kurti, duke theksuar se ai ishte i vetmi nga opozita që e votoi atë me shpresën për një qeverisje të pastër, pa korrupsion dhe nepotizëm.

Pacolli theksoi se priste që Kurti do të përmbushte premtimet për zhvillimin ekonomik dhe për një menaxhim të drejtë, pa diferencime mes mbështetësve dhe jombështetësve.

“Kam qenë i vetmi nga opozita që e kam votuar qeverinë Kurti 1, me shpresën se ata do të qeverisnin me duar të pastra, pa korrupsion, pa nepotizëm, pa ndikime për punësime (familjare dhe partiake) dhe se Kurti do t’i përmbushte premtimet e vendi do të zhvillohej ekonomikisht dhe nuk do të kishte diferencime për mbështetësit apo jombështetësit e partisë në pushtet”, tha Pacolli.

“Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk ka përmbushur asnjë nga pritshmëritë,” shtoi ai.

Ai akuzoi qeverinë se është thelluar në skandale korruptive dhe ideologjike, duke theksuar se një praktikë tipike komuniste është kur politika e dirigjon menaxhimin e ndërmarrjeve ekonomike, veçanërisht atyre publike, ku menaxhimi duhet të qëndrojë i pandikuar.

“Fatkeqësisht, nuk doli ashtu dhe kjo qeveri, përveç që nuk ka përmbushur asgjë nga pritjet, është thelluar edhe në skandale korruptive dhe ideologjike.
Një tipar tipik komunist është fakti që qeveria (politika nga lart) dirigjon menaxhimin e ndërmarrjeve ekonomike, veçanërisht atyre publike, ku menaxhimi duhet të qëndrojë i pandikuar”, tha Pacolli për GazetaBlic.