Lajme

Njihuni me shkrimtaren Ymrije Beqiri, që pas punës çdo ditë punon në kopshtin e prindërve të saj

Një shkrimtare nga qyteti i Vushtrrisë, edhe pse punon në Bibliotekën e Qytetit, vazhdimisht shkon në vizitë tek prindërit e saj në fshat për të punuar kopshtin. Ymrije Beqiri tregon se sa me dëshirë e bënë këtë punë. Ndjekim rrëfimin e saj pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas Rurale.

Pasi të përfundon orarin e saj në punë, niset për në fshat.

Ymrije Beqiri nga Vushtrria, vjen pothuajse çdo ditë në Bukosh, tek prindërit e saj.

Krahas vizitës për tek prindërit, Beqiri këtë rrugë e bën edhe për të kaluar kohë në kopshtin për të cilin kujdeset vet.

“Meqenëse unë vi nga një fshat që është nga Rrezja e Qyqavicës, kuptohet që fshatrat e tona merren gjithmonë me bujqësi dhe blegtori, unë jam një fëmijë që kam pasur fatin të rritem në mesin e kësaj familje që gjithmonë janë marrë me blegtori edhe me kopsht. Unë e kam si pasion dhe e dua shumë”, tha ajo.

Ymrije Beqiri që nga mosha 10 vjeçare është marrë me bujqësi.

Punën e tokës e do shumë e këtë e trashëgoi nga familjarët e saj.

“Unë gjithmonë kam ec mbrapa gjyshes, nënës, pas kopshtit gjithmonë jam e përgatitur dhe ju them krejt grave që kanë mundësi unë tash jam këtu në truallin e vëllait dhe kam qef me bë diçka mos me hezito por gjithmonë me punu me mbjell se është për të mirën e familjes tonë, për të mirën e shëndetit tonë”, tha Beqiri.

Tani ajo është duke punuar në Bibliotekën e Qytetit në Vushtrri dhe është afër botimit të librit të 26-të por krejt këtë nuk e ndalin të jetë e angazhuar edhe në punë të tjera.

Ndër të tjera, të martën është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gruas Rurale.

Kjo ditë synon njohjen e kontributit dhe rolin e grave nga zonat rurale në komunitet, me qëllim të përmirësimit të jetës dhe mirëqenies në tërësi.