ShowBizzz

Al Pacino: Të jesh baba në moshën 84-vjeçare është kënaqësi

Al Pacino është duke promovuar librin e tij të kujtimeve me titull “Sonny Boy”, një pseudonim që ia kishte dhënë e ëma.

Në këto kujtime, ai përshkruan jetën dhe karrierën e tij. Aktori 84-vjeçar shpjegoi për BBC se vendosi të shkruante kujtimet pjesërisht edhe për shkak se u bë baba i një djali, Roman, në moshën 83-vjeçare. Përmes këtyre kujtimeve, ai shpreson që djali i tij të ketë mundësi të mësojë diçka për të në të ardhmen.

“Unë dua të jem pranë këtij fëmije. Shpresoj që të jem. Shpresoj të mbetem i shëndetshëm, dhe ai ta dijë se kush është babai i tij, natyrisht”, shpjegoi aktori, i cili i dha fund lidhjes me nënën e Romanit, producenten e filmit Noor Alfallah. Pacino shpjegoi se pjesa më e madhe e ndërveprimit të tij me djalin 16-muajsh bëhet nëpërmjet internetit.

“Më intrigon çdo gjë që bën. Pra, ne flasim. I bie harmonikës kur jemi në video-thirrje dhe kemi krijuar një kontakt të tillë. Kjo është argëtuese”, shtoi ai.

Pacino dhe Alfallah u takuan në fund të viteve 2010 dhe e konfirmuan lidhjen e tyre në vitin 2022. Në qershorin e vitit të kaluar, lindi djali i tyre Roman, për të cilin aktori kërkoi testin e atësisë. Nuk dihet saktësisht kur çifti u nda, por sipas përfaqësuesit të Al Pacinos, ata kanë mbetur miq të mirë dhe po e rrisin bashkë djalin.

Përndryshe, aktori nuk është martuar kurrë, por ka qenë në lidhje me shumë gra të famshme, si Beverly D’Angelo dhe Diane Keaton, dhe nga tri lidhje ka katër fëmijë.