Lajme

Vokrri: Haradinaj po shpërfaqet para publikut si dikush që e ka humbë shëndetin mendor

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka deklaruar se Haradinaj është duke u shpërfaqur si person që e ka humbur shëndetin mendor.

Sipas Vokrrit, Kosova ka nevojë për opozitë e cila di si ta kundër balancojë autoritetin e qeverisë me argumente dhe jo me deklarata të cilat nuk i bëjnë nder askujt.

“Mendoj që vendi ka nevojë vërtetë për një opozitë e cila din si të kundër balancojë autoritetin e qeverisë me argumente, me vizion e me program të qartë e jo me kështu deklarata kuturu që nuk i bëjnë nder as historisë së Kosovës. Unë jam për atë që familjet të cilat kanë kontribuar në çlirimin e vendit duhet të zhvillojnë ndonjë mekanizëm që ta ruajnë shëmbëlltyrën e tyre në vend se të bien në këtë nivel. Për mua është fatkeqësi ta shoh dikë nga një familje sikur kjo që shpërfaqet para publikut si dikush që e ka humbur shëndetin mendor”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në tëvë1.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të hënën në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e ushqimit në FSK, gjatë fjalimit të tij e ka quajtur mashtrues e spiun të Serbisë, kryeministrin, Albin Kurti.

Ai tha se Kurti e ka lënë ushtrinë e vet pa bukë si dhe po e godet pamëshirshëm Policinë e Kosovës, AKI-në dhe ushtrinë.

“Angazhimi i tij ditor i tëri është mashtrim, ai nuk punon në interes të këtij vendi, ai në mënyrë sistematike me qëndrueshmëri në vazhdeimësi pa ndalë vazhdon me e dobësu vendin që e udhëheqë, me i’a dobësu shtyllat jetike, shtyllat e sigurisë, ai godet pamëshirshëm policinë e vendit, AKI-në, ushtrinë dhe atë në mënyrat më të ulta të mundshme, edhe vazhdon t’i godasë. Po është spiun i Serbisë, po është tradhtar, ai njeri që e lenë ushtrinë e vet pa bukë, çka tjetër me i thënë këtij njeriu”, deklaroi Haradinaj./teve1.info/