Policia e Kosovës ka denoncuar një provokim të rëndë nga Serbia.
Policia ka publikuar pamjet e cila përmes një njoftimi thotë se, të hënën, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë është pikasur një veturë që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe.
“Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe. Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbën shkelje të marrëveshjes për IBM-në, dhe ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror.”
Pas kësaj ngjarje pati reagime edhe nga autoritetet e Kosovës.
Pas këtyre provokimeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga ana serbe, ka reaguar eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.
Ai shprehet se, në rrethanat në të cilat tani gjendet Kosova, në konflikt permanent me Serbinë, kërkon që të ketë lobim sa më të madh tek shtetet me ndikim për të arritur që Kosova të zyrtarizohet në NATO.
Sipas tij, prania e NATO-s në Kosovë tash e 25 vite, për shkaqe sigurie dhe të mbrojtjes nga Serbia, nënkupton edhe një lloj protektorati mbi Kosovës nga Aleanca e NATO-s.
“Përtej dialogut me Serbinë dhe përpjekjes për arritjen e një marrëveshje normalizimi mes dy vendeve, anëtarësimi më i shpejtë në NATO pa dyshim se po konsiderohet çelësi kryesor i sigurimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës por edhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”, thotë Tërnava.
Ai shton se pas provokimit nga Serbia, edhe ngjarjet e 24 shtatorit të vitit të kaluar që eskaluan me sulmin terrorist në Banjskë e dëshmuan fuqishëm dhe e treguan domosdonë e pranisë më të madhe të NATO-së në Kosovë.
Tërnava pohon se, në këtë aksion ishte kundërveprimi i sinkronizuar i institucioneve të sigurisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in që neutralizuan dhe dëbuan terroristët serbë përtej kufirit të Kosovës, por megjithatë Serbia vazhdon ta kërcënon akoma Kosovën duke mbajtur të mobilizuara kontingjente të mëdha ushtarake gjithandej përgjatë kufirit me Kosovën.
“Angazhimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, lobimi më i fuqishëm për zyrtarizim të anëtarësimit të Kosovës në NATO domosdoshmërisht duhet të jetë prioritet nacional, mision i angazhimit të përbashkët politik e diplomatik edhe nga pozita por edhe opozita. Me anëtarësim të Kosovës ne NATO, Serbia do të ishte e dërmuar dhe dëshpërimi me politikat e Vuçiqit në Serbi do të ndodhte, dhe me këto veprime do të fillonte edhe demokratizimi i Serbisë…”, përfundon eksperti Hajrullah Tërnava.