Lajme

PDK: Kërkojmë hetim të menjëhershëm për skandalet abuzive të Qeverisë

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se dëshmitë e publikuara që konfirmojnë përfshirjen e zyrtarëve të shumtë shtetërorë në afera të mëdha keqpërdorimesh dhe skandale të tjera, janë alarmante dhe kërkojnë adresim nga institucionet përkatëse.

Ai tha se këto ngjarje shqetësuese jo vetëm që minojnë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, por edhe dëmtojnë besueshmërinë në institucione dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për censurën nga Radio Televizioni Publik i Kosovës, i cili pas shumë skandaleve të brendshme nga menaxhmenti dhe Bordi, të emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, sot ka ndaluar transmetimin e seancës parlamentare të iniciuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së.

“Po ashtu, anëtarët e Kryesisë theksuan se gjatë gjithë mandatit të qeverisë aktuale, veçanërisht në javën e kaluar, rritja e numrit të skandaleve ka ekspozuar një mentalitet të rrënjosur në korrupsion të thellë dhe shpërdorim të pushtetit nga zyrtarët shtetërorë, të gjitha në dëm të Kosovës dhe qytetarëve tanë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Rasti me ambalazhuesit e ujit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sipas kësaj partie e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës mbi 11 milionë euro.

“Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që asnjë nga këto afera të mos kalojë pa adresuar, pavarësisht ritmit të shpejtë me të cilin po shfaqen. PDK i bënë thirrje institucioneve përkatëse hetimore dhe gjyqësore që urgjentisht, profesionalisht dhe në mënyrë të paanshme të trajtojnë këto raste, të cilat rikonfirmojnë qartë korrupsionin e përhapur qeveritar, keqpërdorimin e detyrave zyrtare dhe dëmtimin e interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.