Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka njoftuar se të martën ka vdekur në moshën 80 vjecare, gjenerali britanik Sir Mike Jackson, e që ishte komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë. Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Komunovës, hyrjen e trupave paqeruajtëse në Kosovë e deri tek parandalimi i Luftës së Tretë Botërore, ishin disa nga veprimet përmes të cilave u kujtua gjenerali britanik nga kosovarët.
Përgatitjet e fundit, po i bënin në Maqedoninë e Veriut.
Janë këto pamje të trupave britanike të NATO-s, në majin e vitit 1999.
Por, synimin final, këta ushtarak e kanë hyrjen në Kosovë.
Krejt kjo për t’i dhenë fund krimeve serbe.
Por, që një gjë e tillë të arrihej, 14 gjeneralë të NATOs e ushtrisë serbe, u takuan në restorantin “Evropa ‘93” në Bllacë.
Trupat e paqeruajtësve, do të përfaqësoheshin nga gjenerali Mike Jackson, i cili ndërroi jetë të martën në moshën 80 vjecare.
Arritjen e këtij të fundit, e mban mend mirë pronari shqiptar i restorantit, Ramadan Sadiku.
“Gjenerali në lokalin tonë, ka ardhur me 6 qershor dhe aty ka qëndruar deri me datën 9 qershor. Ka pasur veprime të ndryshme, ka pasur veprime te qeta, mirëpo edhe biseda ku është dashur ta ngrejë zanin që të mund të vije deri tek marrëveshja. Bile është një fotografi tek lokali ku iu drejtohet serbëve, me fjalët: Ju doni apo nuk doni, trupat e NATO-s do të futën në Kosovë, mirëpo e mira është që ta kemi një marrëveshje këtu që të mos kemi ndodhi jo të mira në ditët në vijim”, thotë Ramadan Sadiku – pronar i restorantit “Evropa ‘93”
Bisedimet që nisën këtu, u transferuan në Kumanovë.
Brenda kësaj tende, u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake, e cila i dha fund luftës në Kosovë.
Kjo bëri që mijëra trupa ushtarake të udhëhequra nga gjenerali Jackson, të hyjnë në Kosovë.
Më pas, Mike Jackson do të njihej edhe si njeriu që e parandaloi Luftën e Tretë Botërore, kur ushtria ruse kishte okupuar aeroportin e Prishtinës.
Këtu, ai shmangu një konfrontim direkt me rusët.
Komandantin e parë të KFOR-it në Kosovë, e ka kujtuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë dhe të na bashkohej në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, por Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Në moshën 80 vjeçare, të martën e 15 tetorit 2024, gjenerali britanik Mike Jackson, vdiq i sëmurë nga kanceri në prostatë”, ka shkruar Kurti.
Bashkëpunimin me gjeneralin Jakcson, e ka kujtuar edhe ish-komandanti i zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
“Lajmi për shkuarjen në amshim të Gjeneralit Mike Jackson, Komandantit të parë të KFOR-it, më mërziti shumë pasi që ai ishte personalitet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm që në ditët e para të lirisë”, tha Haradinaj.
Në nderim të gjeneralit Mike Jackson, të mërkurën edhe Kuvendi i Kosovës, ka nisur punimet me një minutë heshtje.
Ndryshe, në vitin 2016, ish- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kishte ndarë medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë, për gjeneralin Jakcson.