Lajme

Analiza e Këshillit Gjerman për Punë të Jashtme: Si mund ta trondisin Ballkanin Perëndimor zgjedhjet në Amerikë?

Studiuesit e Këshillit Gjerman për Punë të Jashtme – DGAP, kanë thënë se pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet në Amerikë, roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor do të reduktohet.

Sipas autorëve të kësaj analize, Millan Niq dhe Frauke Seebass, Ballkani Perëndimor, me konfliktet e tij të pazgjidhura dhe integrimin e ngecur, do të ketë nevojë për një angazhim më serioz dhe strategjik nga BE-ja dhe Gjermania, pavarësisht emrit të ri në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Në këtë analizë, autorët thonë se nën presidencën e parë të Donald Trumpit, politika e Shteteve të Bashkuar për Ballkanin Perëndimor mori një kthesë më të njëanshme. Ata përmendin Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, për të cilën thonë se vetëm një pjesë e vogël e saj u zbatua.

Sipas  këtij studimi, “veprime të tilla të pakoordinuara nga administrata Trump shërbyen si një thirrje zgjimi për BE-në dhe e ndihmuan atë të ringjallë rolin e saj ndërmjetësues në dialogun Kosovë – Serbi”.

Më tej, Niq dhe Seebass, thonë se në rast të një fitoreje të Trumpit, angazhimi i Uashingtonit në një nivel të lartë do të ishte “shumë më selektiv dhe transaksional, gjë që do t’i konvenonte liderëve joliberalë të Ballkanit”.

“Brenda rajonit, do të forconte pozitat dominuese rajonale të Serbisë dhe Shqipërisë në kurriz të fqinjëve të tyre më të vegjël si Mali i Zi dhe Kosova, duke rritur rreziqet e sigurisë dhe tensionet rajonale. Një rrezik edhe më i madh për sigurinë e Ballkanit do të vinte nga gërryerja e besueshmërisë së NATO-s dhe kërcënimi i tërheqjes së trupave amerikane nga KFOR-i. Kjo jo vetëm që do të dobësonte marrëdhëniet transatlantike, por gjithashtu do të sfidonte rrënjësisht strategjinë e BE-së për përdorimin e fondeve të reja dhe kushtëzimit për të integruar gradualisht shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Ndërsa, për sa i përket mundësisë që kandidatja demokrate, Kamala Harris, të vinte në krye të Shtëpisë së Bardhë, autorët e analizës thonë se në këtë situatë, Uashingtoni do të ishte më pak tolerant ndaj qasjes së vazhdueshme balancuese të Beogradit me Rusinë e Kinën, teksa do ta rriste presionin mbi të gjitha vendet e Ballkanit për t’i reduktuar lidhjet ekonomike me Pekinin.

“Udhëtimi i fundit i drejtorit të CIA-s, William Burns në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë është një tregues i qartë se Uashingtoni po mban një sy të mprehtë në lëvizjet destabilizuese, siç është fushata secesioniste e Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë ose tentativa për kontrabandë me armë nga serbët vendas etnikë dhe grupet e krimit të organizuar në Kosovë që rezultoi me një shkëmbim zjarri vdekjeprurëse me forcat e policisë në Banjskë. Burns thuhet se dha gjithashtu një paralajmërim të ashpër kundër lëvizjeve të njëanshme të qeverisë së Albin Kurtit të Kosovës që mund të përshkallëzojnë tensionet me komunitetet etnike serbe në veri të Kosovës”.

“Kjo strategji e balancimit diplomatik dhe kontrolleve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor mund të vazhdojë nëse demokratët mbajnë Shtëpinë e Bardhë, por rajoni me siguri do të ketë më pak vëmendje politike në nivelet e larta. Kjo mund të varet nga këshilltari afatgjatë i Harris për sigurinë kombëtare, Philip Gordon, i cili ka ekspertizë të gjerë në politikën evropiane. Bazuar në punën e tij të mëparshme, Gordon ndoshta do të kërkonte të vendoste një qasje të kujdesshme ndaj rajonit”, thuhet në analizë.

Autorët më tej thonë se në parim, administrata Harris do t’ia delegonte çështjen e Ballkanit Perëndimor Departamentit të Shtetit, ku në krye për rajonin është Zëvendës Ndihmës Sekretari për Evropës, Alexander Kasanof, i cili aktivitetet e tij i koordinon me aleatët kryesorë evropianë nërpëmjet Quint-it.

Niq dhe Seebass vlerësojnë gjithashtu se periudha e kalimit në administratën e re amerikane dhe Komisionin e ri Evropian i ofron Gjermanisë mundësi të mirë për të dërguar sinjal të fortë mbështetjeje për Ballkanin Perëndimor në mënyra të ndryshme.

Ndër mënyrat që vjen si propzim nga dyshja janë ndërtimi i shtyllës evropiane të NATO-s dhe forcimi i misioneve të saj në rajon, ruajtja e aspiratës politike për zgjerimin e BE-së, ndërtimi mbi arritjet brenda Procesit të Berlinit, krijimi i një ure ndërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkani Perëndimor dhe Tregu i Vetëm i BE-së, në kërkim të mënyrave dhe formateve të reja për koordinim më të ngushtë me Britaninë e Madhe, e cila ka kërkuar të forcojë rolin në rajon që nga kthimi i laburistëve në pushtet.