Lajme

Rundi i ri i dialogut Kosovë – Serbi, javën e ardhshme

Javën e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave të enjten më 24 tetor, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Kështu thanë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian, pa dhënë hollësi për takimet.

Në BE gjithmonë e përdorin fjalën “takime”, pasi nuk janë të sigurt nëse do të ketë takim trepalësh, pra takim mes dy delegacioneve në prani të lehtësuesit nga BE-ja.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.